29 Mars, 2024 - 9:00 am
Në Muzeun Historik Kombëtar (MHK) po kryhen ndërhyrje konservuese dhe restauruese të objekteve që bëjnë pjesë në fondin e tij.
Në faqen e tij online, MHK publikoi restaurimin e mbulesës prej argjendi të ikonës së Shën Spiridhonit me nr. inventari 5900.
Kjo ikonë tepër e veçantë prej argjendi paraqet figurën e Shën Spiridhonit. Objekti u zhvendos për në laboratorin e muzeut dhe ndërhyrjet konservuese u fokusuan në disa faza: fotografimi i gjendjes aktuale, trajtimi kimik për heqjen e blozës, pluhurave, yndyrnave e kripërat e bakrit, si dhe pastrimi e lyerja e kornizës dekorative.
Pas 43 vjetësh nga krijimi i tij, Muzeu Historik Kombëtar pritet që së shpejti t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe rikonceptimit muzeal.
Ky operacion i jashtëzakonshëm, do të udhëhiqet nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.
Vitet e fundit MHK ka njohur rritje të vazhdueshme të interesit të publikut vendas dhe të huaj, gjë që ka sjellë nevojën për investim madhor. Investimi mbështetet nga fondet e Bashkimit Europian dhe buxheti i shtetit e pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në qasjen e publikut te historia dhe elementet thelbësore të identitetit tonë kombëtar. / atsh / KultPlus.com