12 Tetor, 2017 - 9:30 am
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro raportoi në Komisionin e Medias dhe Edukimit në lidhje me ndërtimet që po kryhen në parkun e Butrintit, ku opozita pretendon se po dëmtohet një objekt i mbrojtur nga UNESCO.
Fillimisht ministrja Kumbaro sqaroi pretendimet për ndalimin e disa gazetarëve për tu futur në ambientet e parkut. Sipas saj, “ligji për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës parashikon që për filmimet në zonat e trashëgimisë kulturore duhet marrë leje të autoritetet përkatëse, konkretisht te ministria e Kulturës. Sipas Kumbaros, një leje e tillë nuk është kërkuar.
Lidhur me ndërtimin në Butrint, ministrja Kumbaro tha se nuk është shkelur ligji për trashëgiminë kulturore, pasi sipas saj bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues që do të shërbejë si pikë qëndrimi për turistët.
“Nuk është shkelur në asnjë pikë ligji për trashëgiminë kulturore dhe janë respektuar të gjitha procedurat. Projekti në fjalë është në kuadrin e një pakete shërbimesh”, tha ajo.
Qëllimi, sipas Kumbaros, “është një pikë qëndrimi për turistët”. “Bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues ndërtuar në vitin 1975, që ka shërbyer si depo. Duhet të ketë shërbime eficente për turistët. Ne kemi pasur kërkesa nga operatorët për shërbime që kërkoheshin nga turistët. Godina as shtyhet as afrohet. Pozicioni i godinës me murin është ajo që ka qenë dhe nuk ndryshon. Bëhet vetëm rehabilitimi i godinës ekzistuese”, tha Kumbaro. / KultPlus.com