22 Prill, 2019 - 9:30 am
Një anije turistike e destinuar për të lundruar në ujërat shqiptare po ndërtohet në kantierin e Vlorës, pranë Pyllit të Sodës.
10 punonjës shqiptarë dhe 2 mjeshtra turq janë angazhuar në këtë projekt, i cili do t’i japë një tjetër hov zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Ky projekt shënon po ashtu një hap përpara në industrinë e ndërtimit të anijeve në vendin tonë, një sektor që ka pasur kulmin e tij të zhvillimit dekada më parë.
Anija po ndërtohet në një kantier të vendosur në zonën e Pyllit të Sodës, ndërsa përfshirja në këtë projekt e dy mjeshtrave turq dëshmon edhe nivelin e kënaqshëm të pagesave për punëtorët e angazhuar në këtë industri.
Industria e ndërtimit të anijeve në Shqipëri i ka fillesat në Kantierin Detar Durrës, që ka shënuar historinë e flotës shqiptare.
Krahas ndërtimit të anijeve metalike, në këtë kantier kryheshin edhe riparime kapitale të anijeve të të gjitha tonazheve, në të gjithë tërësinë e anijes me një cilësi të lartë.
Kantieri Detar i Durrësit e arriti kulmin e tij mes viteve 1967-1985 kur filloi ndërtimi i anijeve metalike.
Në vitin 1968 në këtë kantier u prodhua anija metalike “Punëtori” dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar “Debatik” me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m.
Në ’85-ën, në këtë kantier u ndërtua edhe anija e tonazhit 2200 BRT, si dhe një numër i konsiderueshëm anijesh të tjera si transporti, anije peshkimi metalike të tonazheve të vogla dhe të mesme etj.