3 Nëntor, 2018 - 1:40 pm
Projekti për rehabilitimin e Memorialit të Skënderbeut po vijon me ritme të shpejta, duke marrë çdo ditë e më shumë formë të plotë.
Bashkia e Lezhës bën të ditur se “vijon puna për rikonstruksionin e Memorialit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Aktualisht puna po përqendrohet në sistemin e ndriçimit”.
Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës, si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.
Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga Instituti i Monumente të Kulturës dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument, si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut, shkruan ATSH.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut./KultPlus.com