9 Prill, 2018 - 9:00 am
Një nga objektet historike dhe të kultit më të vizituara në Bashkinë e Lushnjes por edhe në vendin tonë, është Manastiri i Ardenicës (ose Artemisës hyjnesha e pjellorisë). Ky objekt i rëndësishëm kulti, ngrihet në një vend dominues në kodrat pjellore me të njëjtin emër, në lartësinë 200 m mbi nivelin e detit.
Në rrugën për në Fier-Vlorë, në kthesën e fortë afër fshatit Kolonjë, të shfaqet përball Manastiri i Ardenicës. Si një murg i lashtë, hijerëndë, qëndron ulur maj kodrës së bukur në një natyrë të qet. Qiparis, pisha dhe drurë të harlisur e mbajnë mes tyre këtë “plak” të moçëm dhe lëshojnë pika vese mbi zhgunin e tij të tymosur nga koha. Hija e tij e rëndë si një magnet i fuqishëm të tërheq ta vizitosh.
Në anën lindore të tij ndodhet qyteza e Kolonjës, në pjesën jugore ndodhet fshati Ardenicë, ndërsa në anën perëndimore gjendet Libofsha.
Nuk ka të dhëna të sakta rreth kohës së ndërtimit të Manastirit dhe prej kujt është ngritur. Mendohet që ai të jetë ndërtuar në shek XII, në vendin ku dikur ngrihej kapela e Shën Triadhës, e ndërtuar aty shekuj më parë. Këtë e konfirmoi dhe Drejtori i Muzeut Historik të Lushnjes, Niko Ferra që shoqëroj gazetarët e ATSH-së për një reportazh në këtë manastir.
Në afërsi të ndërtesës, në anën perëndimore të saj, janë zbuluar gjurmë të një rruge të vjetër romake degëzim i Egnatias. Në këtë manastir, igumeni Nektar Terpo, me origjinë nga Voskopja, në vitin 1731 shkroi një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, rumanisht dhe shqip. Kjo ndoshta daton me shkrimin e parë të shqipes.
Ky manastir sot është jo vetëm një objekt kulti ku vazhdojnë të strehohen disa murgj, por brenda tij ndodhet dhe kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, për kafshët e udhës së besimtarëve ortodoks të zonës, por është dhe një atraksion turistik për vizitorët kureshtar të historisë dhe të monumenteve të kulturës.
I gjendur në aksin rrugor që të çon në Fier e Vlorë, e bënë këtë manastir më tepër të vizitueshëm, pasi mbi 10 mijë vizitorë ngjiten aty çdo vit.
Kujdesi i pushtetit lokal dhe atij qendror për infrastrukturën rrugore që të çon drejt tij, e ka bërë tepër atraktiv. Vizitori që ngjitet në këtë manastir mund të sodis nga kodra e lartë ku ai ngrihet, një peizazh të mrekullueshëm natyror, që përfshin fushat e Myzeqesë, lagunën e Karavastasë deri në detin Adriatik.
Një peizazh të mrekullueshëm nga kjo lartësi të shfaq pylli me pisha shekullore i Divjakës. Nën këmbët e këtij manastiri nuk shtrihen vetëm peizazhet natyrore, por edhe një qendër e banuar që në lashtësi, ku sot mund të shikosh mbetjet e mureve dhe të varrezave të lashta.
Të kalosh disa orë në të, mëson shumë gjëra, që nga piktorët e famshëm voskopojar që pikturuan muret e tij, martesën e Skënderbeut, harta astrologjike në dyshemenë e kishës, banesat brenda kishës së lashtë ku jetojnë disa murgj që të kujtojnë periudhën e eremitëve të krishterë që faleshin në vetmi për rrugën e drejt të Krishtit që duhet të ndjek njeriu, histori të lashta e moderne, gazmore e të frikshme si vet enigma, pra gjithçka që mbart brenda vetes një manastir.
Por më së shumti, manastiri i Ardenicës, sot është një pikë çlodhëse dhe mjaft qetësuese për turistët që kalojnë disa orë atje.
Në periferi të tij gjen restorante luksoze që shërbejnë me profesionalizëm, peizazhe natyrore të papërsëritshme të cilat ndërthuren me së miri me kuzhinën tradicionale myzeqare dhe mikpritjen e ngrohtë vendase./KultPlus.com