27 Prill, 2019 - 8:02 pm
Edhe një herë tjetër janë përkulur para obeliskut, në kujtim të të pagjeturve.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, i kujtuan mbi 1,600 të pagjetur të vendit, e megjithëse nuk folën këtu, në rrjete sociale shkruan për këtë ditë.
Sipas presidentit Thaçi, të pagjeturit janë një plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare, e në anën tjetër, kryeministri Haradinaj u zotua se nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi për ta.
Por, me atë që është bërë deri tash, familjarët dhe përfaqësuesit e shoqatave të të pagjeturve, ndihen të zhgënjyer.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, që bëri homazhe po ashtu pranë obeliskut, tha se nuk do të ketë një marrëveshje me Serbinë, pa qartësimin e hapave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Me rastin e Ditës Kombëtare për personat e pagjetur, komunikatë ka dërguar edhe shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
“Familjet e personave të pagjetur mund të gjejnë ngushëllim vetëm atëherë kur e dinë fatin e të dashurve të tyre të pagjetur,” ka shkruar mes tjerash Papadopoulou, e cila ka ritheksuar vullnetin e misionit që të vazhdojnë ndihmën në procesin e identifikimit.