Në Gjakovë po synohet numër më i madh i turistëve, vjet e vizituan 10 mijë vetë

26 Maj, 2018 - 5:14 pm

Kulla e Abdullah Pashë Drenit, Xhamia e Hadum Agës, Teqeja e Bektashinjve, Hani i Haraqisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës.

Gjakova si një qytet me një histori të lashtë shumë shekullore prej të cilës kanë mbetur edhe shumë objekte e artefakte që tregojnë për jetën që u zhvillua në këtë qytet, vetëm në vitin 2017, është vizituar nga mbi 10 mijë turistë nga vende të ndryshme.

Kështu ka bërë të ditur për Kosovapress udhëheqësi i Zyrës së Informacionit Turistik në Gjakovë, Kujtim Rrahmani sipas të cilit kjo komunë krahas turizmit kulturor e ka të zhvilluar edhe turizmin natyror.

“Sipas disa statistikave jo zyrtare që i kemi është 8 mijë deri në 10 mijë veta këtu përfshihen turistët në përgjithësi që e vizitojnë Gjakovën dhe rrethinën e Gjakovës. Këto statistika i kemi marr prej kufirit dhe disa elementeve tjera… Më së shumti Gjakova është tek turizmi kulturor, aty e ka bazamentin kryesor sepse duke e llogaritur trashëgiminë që e ka vetë brenda qytetit, turizmi kulturor është turizmi bazik që zhvillohet në Gjakovë, mirëpo nuk mund të them që edhe turizmi natyror nuk është i zhvilluar sepse i kemi disa pika interesante turistike të turizmit natyror ku mund ta përmendi Radoniqin, edhe pse është një vend që është ujëmbledhës për furnizim të qytetarëve, por edhe ajo pjesë shfrytëzohet për një lloj turizmi… Pjesa tjetër është tek Ura e Drinit që janë edhe garat kryesore që mbahen që janë gara të veçanta, por edhe Shkukëza është pjesë e parkut rekreativ ku e shfrytëzojnë qytetarët dhe turistët e huaj”, u shpreh Rrahmani.

Rrahmani duke i përmendur disa nga monumentet që turistët mund t’i vizitojnë në qytetin e Gjakovës, tha se turizmi në këtë komunë është duke lulëzuar dita ditës.

E me qëllim që ky qytet i lashtë të jetë më atraktiv për vizitorët, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se janë duke punuar në projekte kulturore që do kenë impakt në turizmin e kësaj komune.

“Do t’i kemi edhe dy ose tri teatro çoftë të hapura apo të mbyllura, po punojmë edhe me shoqërinë civile që edhe ata të involvohen qoftë në promovimin e çarshisë së vjetër me ngjarjet që ndodhin atje, kemi edhe disa plane edhe deri në fund të vitit. Do të thotë tani jemi në ramazan pastaj bajrami do të kemi ngjarje dhe atëherë, do ketë ngjarje edhe para fundit të vitit për vitin e ri për kërshëndella, po promovojmë me i lidh në mes vete që në Gjakovë me ndodh një lëvizje permanente sa i përket ngjarjeve kulturore që ndërlidhen me turizmin… Sot në mëngjes kemi bisedua për një projekt në lumin Erenik e cila është një ide më e vjetër nuk është ide e imja, por është e mirë dhe unë nuk kam nevojë me ndryshua diçka në shije”, ka thënë Gjini.

Se qyteti i Gjakovës do të ketë risi kulturore e tha edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Saranda Hyseni, e cila u shpreh se hendikep më të madh ka buxhetin e vogël që dedikohet për këtë sektor.

Ndryshe, në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, i cili në gjysmën e dytë të shek. XVII, u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia.

Të ngjajshme