3 Maj, 2018 - 10:30 am
Në Gjonaj të Hasit sot nis edicioni i 29-të e festivalit folklorik “Hasi jehon 2018”.
Në orën 18, në Kodrën e Pajtimit në Gjonaj të Hasit me ekspozitën e prodhimeve të bukës, zeje kjo më të cilën hasjanët janë të njohur jo vetëm në Kosovë, nis edicioni i 29-të i festivalit “Hasi jehon” 2018.
Në natën e parë paraqiten 7 ansamble, ndërsa, siç është traditë, festivalin e hap Shoqëria kulturo artistike mikpritëse “Malësori”.
Haziz Hodaj drejtor i festivalit njofton se çdo gjë është e gatshme që të nisë dasma e madhe hasjane.
“E veçanta e natës së parë të festivalit dhe e edicionit të 29-të është se Këshilli Organizativ i festivalit, për vepër jetësore në ruajtjen e traditës së folklorit burimor do ta nderojë me mirënjohje instrumentistin emblematik, me prejardhje nga Hasi, Shaqir Hotin” njfoton Hodaj.
Shaqir Hoti në natën e parë para publikut, që në festivalin “Hasi jehon” tradicionalisht është me numër të madh, do të performojë me instrumentet e tij.
Për tri net në Gjonaj të Hasit, përveç mikpritësit ShKA “Malësori”, me programet e tyre të ruajtjes së traditës nga mjediset që vijnë do të paraqiten 12 shoqëri kulturo artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe pjesa shqiptare e Malit të Zi.
Në natën e parë përveç ShKA “Malësori” do të paraqitet: Pallati i Kulturës “Pjetër Bogdani” nga Kruma e Hasit të Shqipërisë, ShKA “ Bajram Curri” nga Krushë e madhe, ShKA “Zëri i LLapushës” nga Carralluka e Malishevës, ShKA “Jonuz Ramadani” nga Vitia, ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova, ndërsa mbrëmjen e parë do ta mbyll AAF “Rugova” nga Peja.
Edhe këtë vit për ansamblet më të dalluara do të ndahen çmimet tradicionale: Malësori (çmimi i parë), Malësorja (çmimi i dytë), Lahuta (çmimi i tretë), dhe çmimi për këngëtaren më të mirë që e mban emrin e këngëtares hasjane Nazmije Hoxha, Me mirënjohje për vepër jetësore këtë vit do të nderohet Shaqir Hoti, ndërsa do të ndahen çmimet për koreografinë më të mirë, për rapsodin më të mirë, valltarin më të dalluar, valltaren më të dalluar, ritualin, instrumentistin më të dalluar dhe çmime të tjera tradicionale./ KultPlus.com