29 Nëntor, 2023 - 2:21 pm
Në kuadër të festave të nëntorit, në qytetin frankofon të Zvicrës, Lozanë, nën organizimin e “Swiss Albania Event”, të drejtuar nga Aina Hoti, u prezantua xhubleta shqiptare.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë personalitete shqiptare dhe zvicerane të pjesës frankofone, ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mustafa Nano, i shoqëruar nga Sekretari i Parë, Valon Gashi.
Xhubleta është një veshje 4 mijë vjeçare shqiptare dhe pranimi i saj si pasuri nga UNESCO (një vit më parë), do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi.
Ambasadori Nano, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e kësaj veshje unike, duke thënë se do ta kishin zili gjithë markat e njohura botërore të kostumeve.
E veçanta e kësaj mbrëmje ishte se përveç foto-albumeve të xhubletës, të pranishmit patën kënaqësinë ta shohin dhe një Xhubletë shqiptare 90-vjeçare, e sjell nga koleksionisti i apasionuar ndaj Xhubletës, Kristian Zefi dhe partnerja e tij./atsh / KultPlus.com