Në Lozanë të Zvicrës u mbajt konferencë njëditore mbi trashëgiminë historike dhe etnokulturore të Shqipërisë (FOTO)

26 Nëntor, 2017 - 9:23 am

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, me traditë në organizimin e tryezave, debateve dhe sesioneve të ndryshme shkencore edhe kësaj here ka qenë nismëtar i mbajtjes së një konference njëditore mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sikurse viteve të mëparshme edhe këtë vit pa kurrfarë hezitimi organizimin e këtij seminari me shumëllojshmëri temash e kanë përkrahur: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës, si dhe shoqatat voduaze“L’Atelier du Voyage” dhe “Foundation Octopus”.

Hapjes së këtij seminari i kanë paraprirë këngët e bukura të këngëtares sonë të njohur Elina Duni dhe poezitë tejet tërheqëse në frëngjisht dhe shqip të poetes dhe pedagoges Besa Myftiu.

Pastaj zonja Valbonë Hoxha, drejtoreshë e “L’Atelier du Voyage”të Lozanës,para auditorit të përbërë nga profesorë,studentë,nxënës e intelektualë të fushave të ndryshme ka kumtuar emrat e referueseve dhe temat që ata trajtuan në këtë sesion shkencor.

Hoxha e përpiktë në respektimin e kohës fjalën ia ka dhënë Ilir Gjoni-Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës.

Gjoni pjesëmarrësve të shumtë të këtij seminari u ka shprehur mirëseardhje, e në veçanti ka përshëndetur ekspertët e arkeologjisë: Jean Terrier, Gionata Consagra, Saimir Shpuza dhe Julien Pfyffer, udhëheqës i Fondacionit “Octopus” dhe gazetar special i shqyrtimit të temave nga fusha e arkeologjisë,sidomos nga ajo e navigimit dhe e gjetjeve nënujore.

Gjoni nga pozita e diplomatit pahyrë shumë në aspekte të tjera ka folur për Shqipërinë si vend i vogël i Gadishullit Ballkanik.

Ai ka thënë se vendi i tij është banuar qysh para 50000 vjetëve. Shqipëria e gjendur pranë brigjeve të detit Adriatik e Jon, në kryqëzimin e rrugëve midis Perëndimit dhe Lindjes,Veriut dhe Jugut në vijën detare ka krijuar historinë e saj mijëvjeçare.

Populli shqiptar edhe pse një popull i vogël me punën dhe luftën e tij krijoi vlera të vërteta materiale dhe kulturore. Ai në periudha të ndryshme kohe dha një ndihmesë modeste në historinë e përgjithshme të njerëzimit.

Ambasadori Gjoni me këtë rast përmendi kryeheroin e kombit tonë Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, Gonxhe Bojaxhiun alias Nënë Tereza ose Shën Tereza shqiptare.

Ai po ashtu përmendi nobelistin në mjekësi Ferid Murati, shkrimtarin Ismail Kadare, këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa, koreografin e vallëzimit klasik Driton Dovolani-Toni, fotografin Fadil Bersisha, paharruar edhe këngëtaren e muzikës popullore dhe xhaz Elina Duni, e cila me prezencën e saj i dha seminarit të sotëm fizionominë e dëshiruar.

Në vazhdim të diskutimit të tij Ambasadori Gjoni foli edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët. Ai tha se Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj.

Ajo vijimisht ndaj vendeve me të cilat kufizohet ka treguar tolerancë e mirëkuptim.

Me këtë frymë vazhdohet edhe sot jo vetëm ndaj vendeve të rajonit por ndaj të gjitha vendeve paqedashëse të botës.

Ambasadori Gjoni me theks të posaçëm vështroi marrëdhëniet e Shqipërisë me Zvicrën,në fusha të ndryshme. Zvicrën ai e quajti tokë të azilit duke e cilësuar si mike të vërtetë të shqiptarëve. Në momentet më të vështira dhe më kritike Zvicra priti dhe strehoi mijëra shqiptarë. Veç kësaj ajo ofroi ndihmë logjistike pothuajse në të gjitha fushat. Marrëdhëniet tona në të gjitha sferat me Zvicrën po shënojnë rritje dhe progres.

Shumë sipërmarrës zviceranë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për investime në Shqipëri, sidomos në turizëm,i cili me bregdetin e tij të mrekullueshëm ofron zhvillim për Shqipërinë,dhe sjellë dobi për investitorët zviceranë.

Krahasuar me vitet e më parme edhe numri i vizitorëve zviceranë në Shqipëri është shumëfishuar. Vetëm gjatë verës së sivjetme vendin tonë e sidomos bregdetin e tij e kanë vizituar mbi katërmijë zviceranë. Andaj qëllim ynë është dhe mbetet ruajtja dhe forcimi i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona tha në mbarim të diskutimit të tij ambasadori shqiptar.


Më pas në skenë është rikthyer zonja Valbonë Hoxha, udhëheqëse e “L’Atelier du Voyage” dhe konferenciere e këtij seminari duke thënë:”kam kënaqësinë,nderin dhe privilegjin e veçantë që sot para Jush, të prezantoj gruan e guximshme të nismave dhe aksioneve të shumta në Zvicër dhe Shqipëri zonjën Albana Krasniqi- Malaj, e cila edhe pse më 1992 shumë e re migroi në Gjenevë,pashkëputshëm punoi për sensibilizimin e çështjes shqiptare.

Pastaj zonja Krasniqi-Malaj, si çdoherë modeste dhe e matur në trajtimin e temave të mëdha pakaluar për asnjë çast kompetencat e saj si drejtuese e UPSH-së së Gjenevës dhe anëtare e Zyrës Federale për Migracion në Bernë të Zvicrës,foli mbi gjuhën,historinë dhe kulturën shqiptare.

Ajo nëpërmjet pamjeve të paraqitura në ekran plot emocion prezantoi kryeqytetin dhe qytetin më të madh të Shqipërisë-Tiranën. Për qytetin e saj të lindjes Tiranën zonja Krasniqi-Malaj ,tha se daton qysh në kohët më të lashta,gjë që është vërtetuar edhe nga gërmimet e gjetjet arkeologjike. Rindërtimi i Tiranës i përket vitit 1614. Qyteti nga të gjitha anët rrethohet nga një kurorë kodrinore-malore. Lartësia më e madhe arrin në malin e Dajtit me 1612 metra që shtrihet në lindje të qytetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme