21 Maj, 2019 - 12:00 pm
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Muzeun Etnografik të Gjakovës u mbajt takimi i parë ndërmuzeal ku u reflektua mbi “Gjendjen aktuale të muzeve në Kosovë”.
Roli i muzeve në shoqëri po ndryshon. Muzetë vazhdojnë të reinventojnë veten në kërkimin e tyre për t’u bërë më interaktiv, me fokus në audiencë dhe me orientim nga komuniteti. Në kuadër të kësaj feste muzetë lokale të Kosovës morën një iniciativë tjetër duke e mbajtur takimin e parë ndërmuzeal në Kosovë që u organizua nga Muzeu Etnografik i Gjakovës së bashku me Muzeun e Qytetit të Mitrovicës, si hapë i parë i komunikimit të ndërsjellë të kësaj veprimtarie në Kosovë.
Në këtë takim morën pjesë: Muzeu i Pejës, Muzeu i Ferizajit, Muzeu i Vushtrrisë, Muzeu i Istogut, Muzeu i Dragashit, Muzeu i Qytetit të Mitrovicës dhe si nikoqir Muzetë e Gjakovës, po ashtu këtë iniciativë e përkrahën Muzeu i Prizrenit, Muzeu i Gjilanit, Muzeu i Deçanit dhe Muzeu i Skenderajit.
Pas një përshëndetje mirëseardhjeje nga nikoqiri Drejtori i Muzeut Etnografik të Gjakovës, Besmir Hasi i cili shtoj se “Është pritë një iniciativë e tillë të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, ose edhe nga vet Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Kosovës, por duke u konfrontuar më vështirësi të ndryshme në veprimtarinë tonë muzeale, e kemi pa të udhës të fillojmë një takim ndërmuzealë si reflektim i gjendjes muzeale të Kosovës si dhe mundësi për të shqyrtuar hapat e mëtutjeshëm të krijimi të një bashkëpunimi më të thuktë e produktiv ndërmuzeal” Në fjalimin hyrës i përshëndeti të pranishmit edhe bashkorganizatorja Etnologe nga Muzeu i Qyteti të Mitrovicës Nora Prekazi Hoti, e cila elaboroi për iniciativën e këtij takimi që filloi kur dy institucionet në fjalë u takuan në Selanik të Greqisë në konferencën e Rrjetit të Muzeve Ballkanik “Meet See Do” ajo shtoi se “ Ky takim erdhi si nevojë që ti njohim muzetë tona, me shpresë që në takimet në vijim të kemi mundësi për shkëmbim përvojash, për agjenda të përbashkëta si dhe komunikim të ndërsjellët ndërmuzeal”.
Debati u vazhdua për dy orë ku u trajtuan tematika muzeale si vështirësitë e punës, mungesa e ligjit për muze, mungesa e objekteve adekuate për muze, mungesa e stafeve profesionale, mungesa e promocionit si dhe agjendave të përbashkëta muzeale. Po ashtu u elaborua vullneti dhe gatishmëria për të zhvilluar tutje këtë veprimtari si dhe zhvillimin e mëtejmë të lidhjes ndërmuzeale në Kosovë.
Drejtori i Muzeut të Mitrovicës Hajrullah Mustafa shtoi se “Muzetë duhet të trajtohen sipas territori të kompetencave dhe që mund të jenë: Muze Nacional, Regjional dhe Komunal, ai po ashtu sugjeroi se Muzeu i Qytetit të Mitrovicës i cili tanimë feston 67 vjetori e veprimtarisë dhe si muze i dytë me i pasuri në Kosovë, se ligjërisht nuk do të duhet të trajtohej njëjtë me muzetë e krijuar rishtazi”
Drejtuesi i Muzeut të Ferizajit Ilir Bytyqi “ Sa i përket problematikave të veprimtarisë muzeale, pothuajse të gjithë muzetë prezentë ballafaqohen me sfida të njëjta, Muzeu i Ferizajit është muze i ri, i cili u themelua në vitin 2011. Si muze një ndër sfidat më të mëdha i kemi mungesën e objektit adekuat si dhe mungesa e stafit profesional, promocionin etj. Duhet të shtoi se me sa po e shoh, vullneti i mirë kolegial dhe profesional e mbanë të gjallë veprimtarinë muzeale në Kosovë”. Si rrjedhë e bisedës u pasua nga Drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë Shkurane Begu që tregoj rreth historikut të themelimit të Muzeut të Vushtrrisë dhe ajo theksoi se “Një ndër sfidat kryesore të muzeve të ri në Kosovë, është mungesa e ligjit që do e specifikonte blerjen e eksponateve, si fokus akut i krijimit të koleksioneve të muzeve të reja, theksoj Begu, duke e pasur parasysh se kemi konkurrencë të me veprimtaritë komerciale si hoteleritë të cilët kanë mundësi të blejë artefakte që u mungojnë muzeve për shkak të mos fondeve”. Kjo iniciativë u prit me shumë kërshëri nga udhëheqësit muzeal si dhe u pa si takim i domosdoshëm. Nga ky takim dolën disa rekomandime, me ç’rast u përcaktua takimi i radhës që do të mbahet në javën e fundit të shtatorit të viti 2019 në Muzeun e Qyteti të Mitrovicës. Si dhe u pa shumë e nevojshme të kërkohet takim me Mistrinë për Kulturë, Rini e Sport për ti kumtuar rekomandimet e dala nga ky takim, thuhet në komunikatë / KultPlus.com