20 Dhjetor, 2020 - 7:58 pm
Dallandyshe Tabaku është një ndër të paktat gra që ende e zotërojnë zanatin e të punuarit në tezgjah, një traditë mjaft e përhapur në të kaluarën, por që me zhvillimet e reja teknologjike nisi të zbehej. Puna e saj 33-vjeçare e ka bërë atë të njohur në punimin e qilimave me dorë në gjithë Pazarin e Krujës dhe kjo “famë” sigurisht që i shërben për të pasur më shumë blerës.
Dallandyshja tashmë punon në një aktivitet të sajin, ku merret me punimin e qilimave, tapeteve dhe të gjithë aksesorëve me bazë leshi për përdorim shtëpiak në Pazarin e Krujës, një zonë tashmë e rijetësuar që mbledh turistë nga e gjithë bota.
“Kam plot 33 vjet që merrem me këtë zanat”, shprehet ajo për ATSH-në, duke shtuar se nuk e ka një profesion të trashëguar nga familja por që e ka mësuar në ish-ndërmarjen Artistike të Krujës.
“Sapo mbarova gjimnazin, pamundësia ekonomike më bëri që të filloja në Ndërmarrjen Artistike. Kjo ndërmarje ka qenë edhe eksportuese ku kanë punuar rreth 300 gra bënin dikur të gjitha punimet artizanale.
Profesionin që mori, Dallandyshja tashmë e ka vënë në përdorim për të siguruar punë për vete dhe të ardhura për familjen.
Ajo shpjegon se puna e dorës dallon nga ajo me makineri.
“Shpeshherë për të arritur të njëjtin rezultat sikurse arrihet me dorë është tentuar shumë edhe me pajisje teknologjike, mirëpo asnjëherë nuk mund të kemi të njëjtin rezultat duke filluar edhe nga përzgjedhja e materialit dhe deri tek rezultati final”, tregon ajo.
“Puna e dorës ka një vlerë të jashtëzakonshme. Unë ia kam trashëguar edhe fëmijëve të mi. Për këtë arsye, tregu industrial është munduar që ta kopjojë dhe ta riprodhojë mirëpo asnjëherë nuk ka arritur që ta realizojnë 100 për qind sado që mundohen dhe i afrohen. Puna e dorës përdor kryesisht lesh deleje i cili gjithashtu është totalisht higjienik. Në momentin kur një material punohet arrijmë të fitojmë të njëjtën pamje nga të dyja anët dhe jo vetëm nga një anë sikurse bëhet me pajisje teknologjike”, rrëfen Dallandyshja, e vetëdijshme se puna e dorës nuk “vdes” kurrë.
Ajo tregon edhe për blerësit e punës së saj, duke thënë se kohët e fundit njerëzit që preferojnë punën e dorës janë shtuar pasi është rritur interesi si nga të huajt por edhe nga turistët vendas.
“Puna e dorës nuk mund të ketë një ndarje racionale përsa i përket personave të cilët e pëlqejnë. Puna jonë vlerësohet si nga turistët e huaj por edhe ata vendas, pavarësisht se të huajt janë paksa më të interesuar”, tregon Dallandyshja.
“Në kohën e tranzicionit neve e shpërfillëm dhe i hodhëm punët e dorës të bëra nga gjyshet tona, por që me kalimin e kohës e kuptuam që ishte gabim dhe filluam serish që t’i ribënim. Këto janë punime të bëra nga gjyshet tona dhe unë i kam ricikluar duke mos i hedhur dhe duke i përshtatur ato në çanta apo sende të tjera të vlefshme. Kam ricikluar të gjitha materialet e vjetra që kemi pasur në dispozicion”, tregon ajo.
Dikur, ka pasur një ndërmarrje të posaçme për punimin në tezgjah dhe kanë qenë të punësuara shumë gra. Në ditët e sotme, tradita po zbehet pasi edhe interesi i brezit të ri ka qenë në rënie.
“Nga 300 gra që ishim dikur, kemi ngelur vetën 7-8 që punojnë. Unë jam përpjekur që ta ofroj kontributin tim që të mësoj breza të rinj të cilët ta zotërojnë këtë zanat por vijnë thjesht për hobi pasi humbasin interesin shumë shpejt. Ky profesion po shkon drejt zhdukjes përfundimtare sepse me kohën edhe ne pak gra që kemi ngelur do të tërhiqemi prej moshës tonë dhe nuk mund të punohet deri në pafundësi”, shpjegon Dallandyshja.
Ndërkohë që Dallandyshja është duke punuar në tezgjah për porosinë e saj të fundit që i ka ardhur, ajo gjithashtu ndan me ne disa detaje të rëndësishme.
“Unë punoj me porosi dhe punimet e mia kanë kaluar kontinentin dhe preferohen shumë dhë vazhdojnë të vijnë porosi. Aktualisht, po merrem me një porosi qilimi që po e bëj në tezgjah që është në lesh me dimensione 2 me 2 e gjysmë dhe klienti është gjakovar dhe kërkon simbolin kombëtar të shqiponjës. Do më duhen plot 35 ditë pune që ta përfundoj dhe nuk mund ta shes me tepër se 30.000 lekë të reja. Unë për punën time jap garanci rreth 200 vjet dhe rreth 3-4 breza nëse mirëpërdoret dhe sërish ka për të shkëlqyer po njësoj si ditën e parë. Eshtë një punë e mrekullueshme dhe ndaj e them që është fatkeqësi që po shkon drejt zhdukjes”, rrëfen Dallandyshja./atsh/ KultPlus.com