30 Maj, 2019 - 9:39 am
Telefoni i kuq mbi komo është ende i lidhur me një tel të zi të dalë nga muret. Dera përbri tij, të çon në dhomën e fëmijëve dhe sfungjerët që shërbejnë si mbushës i hapësirës mes murit dhe drurit, janë të dalë dukshëm.
Jemi në Shtëpinë-Studio Kadare që shënjon muzeun më të ri në kryeqytet e ku mund të takojmë gjurmët e lëna nga shkrimtari Ismail Kadare në vitet që jetoi në të, shkruan Fatmira Nikolli në “Gazetën Shqiptare”.
Një koleksion llullash është vendosur në atë që ishte biblioteka e tij personale në dhomën me oxhak. Janë në të librat në gjuhë të huaja, dhe ka qenë për shkrimtarin zona më personale. Nuk i afrohesh dot oxhakut, as llullave, sepse punonjësja e re, nuk të lejon të kalosh matanë vijës së verdhë ku shkruhet në dy gjuhë urdhri ndalues.
Dhomat ku jetoi tashmë janë të hapura, dhoma e gjumit të çiftit është bërë dhomë për studentët që duan të bëjnë kërkime, dhoma e gjumit të fëmijëve është kthyer në dhomën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku gjenden gjithë letërkëmbimet e shkrimtarit në atë kohë deri në realizmin e filmit, lejet e marra, letrat për artistët që do bëheshin pjesë e filmit, letrat që tregojnë ftesat që iu bënë në Francë për takimin me kineastët e huaj.
Një dhomë që dikur ka shërbyer si kuzhinë, është dhoma e filmave që kanë autorësinë e tij dhe të bashkëshortes në skenar. Dhoma e madhe lidhet me një derë xhami me studion e bibliotekën e tij. “Letra e murit mungonte atëherë në Shqipëri, ndaj ai e ka sjellë nga Franca”, thotë shoqëruesja. Nuk janë vetëm dorëshkrimet e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” që janë gjetur në atë shtëpi nga grupi i arkitektëve që u mor me të, nuk është vetëm makina e shkrimit, ajo origjinalja me të cilën në dhomën me oxhak shkroi “Kronikë në gur”, as vetëm koleksioni i llullave a sendet personale të vajzave, fotot e Helenës, librat në gjuhë të huaja të vetë shkrimtarit, karriget e atëhershme, as vetëm veprat e Lasgushit në sirtaret e dhomës së ndenjes; shtëpia -studio Kadare ruan kujtimet e një kohe që shenjoi një prej kohëve më të errëta për shkrimtarit e Shqipërinë. Dritarja e dhomës së gjumit sheh nga ai që njihej si “Bulevardi Broduej”.
Në mure janë vënë vite të ndryshme të krijimtarisë së tij ndërsa më xhama, fraza të shkëputura nga veprat. Fotografi familjare dhe personale të shkrimtarit kanë zënë vend jo vetëm në sirtare kur janë gjetur aty, por edhe në mure për të përçuar mesazhe të caktuara si fotografia me Helenën në atë që ishte dhoma e gjumit apo dhoma e filmave të ndryshëm ku të dy ata kanë qenë skenaristë. Pamje të Tiranës në vitet 1980 shfaqen në ekranet e dhomës së filmit, sikundër fotografia e aktorit të njohur italian Marcelo Mastrojani në dhomën e “Gjeneralit”. Tirana e vjetër është printuar edhe si perde edhe në foto bardh e zi për të vënë vizitorët përballë qytetit të kahershëm që u bë qyteti në të cilin Kadare u bë mjeshtër i letërsisë dhe “mjeshtër shahu” përballë diktatorit, siç shprehet një studiues për të.
Raftet e librave janë po ata që pat zgjedhur vetë Kadareja për secilën dhomë. Sirtarët me sendet personale po ashtu, siç janë dhe librat me faqe të përthyera lënë prej s’dihetsekurit në ecejaket e çastet kur rrinte përballë tyre. Frazat e tij ilustrojnë muret deti edhe tavanin ku gjen vend “tirania e fjalës”.
Mbi parketet prej druri vetëm dhoma e madhe e ndjenjës ka tapet ndërsa në të tjerat ndjen ende kërcitjen e hapave.
Shtëpia me dy dyer, njërën publike e tjetrën private tashmë si studio muze nuk i lë asgjë imagjinatës për kohën kur Kadareja jetonte mes suksesit e frikës, se telefoni i kuq mund të tringëllinte e nga ana tjetër kushedi ç’frazë do kumtohej në ditët e netët e gjata të vetmisë së madhe.
A ishte ajo jeta e shkrimtarit pas perdeve, përballë oxhakut, në shtëpinë me libra? Televizori bardhezi, tryeza e punës, karrigia ndanë oxhakut, shënimet e skulpturat janë veçse një dëshmi.
Muzeu është investim i bashkisë Tiranë dhe ka pasur ndihmën në kërkim e realizim të Ditjon Baboçi, Arba Baxhaku, Frida Pashako, Nevin Bilali, Iris Baboçi, Mirela Koçollari, Iris Elezi, Thomas Logoreci, Erand Meça si edhe këshillat e Piro Misha, Anna Shkreli, Bujar Hudhri, David Bello, Fatos Baxhaku, Piro Milkani, Petrit Kumi, etj.