1 Nëntor, 2018 - 12:48 pm
Alberina Haxhijaj
Ministria e Kulturës ka bërë sot solemnisht nënshkrimin e kontratave të reja në bazë të rregullores së re me të cilën është bërë ngritja e pagave prej 50% për krijuesit, performuesit si dhe për punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka mirëpritur sot në kabinetin e tij disa krijues, performues dhe punonjës profesional të trashëgimisë kulture për të ndarë së bashku lajmin për nënshkrimin e këtyre kontratave të reja.
Sipas ministrit Gashit, mbështetja dhe përforcimi i kapaciteteve njerëzore është i një rëndësie të veçantë pasi që vetëm me një trajtim dinjitoz dhe meritor të punonjësve të fushës së kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mund të arrihen rezultate të mira në punë.
“Jam shumë i lumtur që për një kohë shumë të shkurtër kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore për çështjen e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijuesve, performuesve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore”, tha ai duke shtuar se përmes kësaj rregullore janë krijuar parakushtet për të arritur edhe objektivat e tjera në politikat programore për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.
“Me ngritjen e pagave për artistët nga sot kemi krijuar një mundësi më shumë që artistët tanë të vazhdojnë të na bëjnë krenarë më krijimtarinë dhe perfomancat e tyre të cilat po e promovojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai duke falënderuar mbështetësit që ndihmuan në realizimin e këtij vendimi dhe në kërkesën e shoqatave sindikale.
Ai po ashtu premtoi që të gjitha pakënaqësitë që institucionet e kulturës mund të kenë në lidhje me këtë rregullore do të shikohen nga ministria dhe të gjitha defektet që mund të ekzistojnë do të eliminohen.
Në emër të përfaqësuesve të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, përfaqësues të sindikatës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”, fjalën e mori aktorja Semira Latifi.
“Sot janë ekzekutuar pagat me rritje për performuesit e artit të Republikës së Kosovës për të cilën gjë pati premtuar ministri Gashi që në takimin tonë të parë kur edhe u emërua ministër. Fjalët e dhëna dhe premtimet publike nga zyrtarët shtetëror dhe mos realizimi i tyre janë bërë krejt normale në ambientin tonë . Kjo dukuri ka krijuar një mosbesim të grupeve të caktuar shoqërore karshi institucioneve publike dhe për këtë ndodhin shpesh edhe përplasje e keqkuptime të cilat janë të pariparueshme. Mirëpo, kërkesa jonë e kamotshme është realizuar dhe për këtë shprehim konsideratë dhe respekt të veçantë për ministrin Kujtim Gashi, si ministër i cili edhe e mbajti fjalën e dhënë”, tha ajo duke shtuar se dëshirojnë që në të ardhmen mbajtja e përgjegjësive dhe mbajtja e fjalës publike të jetë diçka normale në shoqëri dhe jo një lajm konference si kjo e sotshmja.
Kujtojmë se tri institucionet vartëse të MKRS-së, Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë qenë në grevë duke kërkuar miratimin e kësaj rregullore.
Performuesit e institucioneve kulturore të Kosovës hyjnë në grevë, anulojnë çdo aktivitet
Greva kishte përfunduar pasi që ishte miratuar rregullorja për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës, si dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore. Përmes këtij akti do të rritet paga në vlerë prej 50% për këto kategori./ KultPlus.com
Artistët pezullojnë grevën, nga 1 nëntori do t’i marrin pagat me rritje