18 Qershor, 2018 - 12:44 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro- Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.
Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014.
Kalendari i sivjetmë i përbashkët kulturor do të realizohen aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave. Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë e në Shqipëri. Këtë aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.
Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë në shtëpinë tonë të përbashkët. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ministri.
Ministri Gashi ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.
“Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve pa e prek pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që këtë vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, u shpreh Gashi duke shfaqur edhe vlerësim për punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativ.
“Është për mua viti i pestë si Ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar por duke pranuar siç e tha edhe ministri është që është një formalizim i një aktiviteti e një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”, tha ministrja.
Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës. “Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur ne Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujin nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet te krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, vlerësoi Kumbaro.
Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë.
“Koncepti i kalendarit të përbashkët kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim edhe me Greqinë por jo vetëm”, tha në fund ministrja shqiptare. / KultPlus.com