Nesër mbahet simpoziumi që trajton urgjencën e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë

27 Tetor, 2022 - 11:00 pm

Nesër nga ora 10:00, në Grand Hotel Prishtina, mbahet simpoziumi njëditor ‘’Me çka të të peshoj, me sy apo me zemër?’’, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Do të definohet muzeu që duan ta nisin, çfarë koleksioni do të ketë dhe çfarë ndikimi do të ketë në shoqërinë tonë. Simpoziumi do të mbledhë akterë vendorë dhe ndërkombëtarë me profile të ndryshme, të cilët ndajnë zotimin për të shkëmbyer dijeni dhe për të mësuar bashkërisht rreth ndërtimit të muzeve.

Simpoziumi ka për bazë katër panele të cilat trajtojnë urgjencën dhe qëllimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Republikën e Kosovës, projekt i cili planifikohet të jetë funksional deri në vitin 2026.

Do të shqyrtohet një spektër perspektivash si pjesë e konceptimit të këtij institucioni.

Kosova nuk ka Muze të Artit Bashkëkohor (MAB). Më 31 maj, 2022, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës themeloi një këshill të veçantë për inicimin e MAB, që ishte iniciativa e parë e nivelit të lartë për muze të arteve në Kosovë, i cili parashihet të funksionalizohet tërësisht deri në vitin 2026. Si do të duket ky muze, ku do të vendoset, cili do të jetë koleksioni i tij dhe çfarë ndikimi do të ketë, janë të gjitha pyetje me të cilat po ballafaqohet Këshilli. Këto janë disa nga pyetjet kyçe që nxisin një Simpozium të veçantë ndërkombëtar në Prishtinë. Përgjigjet e nxjerra nga panelistët e shumtë e me përvojë të cilët kanë prapavija të ndryshme do të shërbejnë si shtyllë e diskutimeve dhe vendimeve të mëtejme të Këshillit. Këshilli Inicues për Muzeun e Artit Bashkëkohor (KIMAB) përbëhet nga artistë, arkitektë dhe politikëbërës të fushës së kulturës. Ka nëntë anëtarë, përbërë nga Yll Rugova, Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Salihu Hoxha, Valdete Pacolli, Fisnik Abazi dhe Rozafa Imami.

Ngjarja fillon në ora 10:00 dhe përfundon në 18:00. Përgjatë katër paneleve do të ketë hapësirë dhe kohë të mjaftueshme edhe për rrjetëzim.

Më poshtë mund të gjeni programin e plotë. / KultPlus.com

Të ngjajshme