30 Maj, 2022 - 5:30 pm
Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.
Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.
Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.
Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.
Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com