Nesër publikohet drafti i fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe

21 Nëntor, 2024 - 4:00 pm

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”.

Rama shprehu se fjalori vjen si pjesë e rezistencës për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga presionet e shumta të kohës, duke e cilësuar paraqitjen e fjalorit si moment historik n♪7 këtë përpjekje.

“Sot më vjen shumë mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik, besoj unë, për sa i përket gjuhës të prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që më në fund, pas gjysmë shekulli, përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave dhe me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve, akademikëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut dhe nesër, në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti, le të themi, i këtij fjalori”, deklaroi Rama.

Rama u shpreh se, “fjalori do të hidhet në një konsultim shumë të gjerë publik dhe do të merren të gjitha ato opinione dhe të gjitha ato sugjerime dhe të gjitha to vërejtje dhe të gjitha ato kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme në një përpjekje ku, siç e thashë më parë, ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm sepse jemi nën jemi agresionin e barbarisë dhe gjithfarëlloj injorantësh dhe delirantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të patjetërsueshëm që të jemi në mbrojtje dhe që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”.

“Këtu unë nuk dua të hyjë në debatet e bëra lidhur me çfarë i bëri gjuhës, Kongresi i Drejtshkrimit, i bëri atë që unë besoj, shërbimin më të madh historik dhe shërbimin më të madh kombëtar, apo i bëri të kundërtën sepse unë besoj që nuk është fare detyra e politikës dhe nuk është misioni apo detyra e asnjë politikani që të hyjë në këtë territor dhe aq më pak pastaj të kontribuojë për të kundërtën e asaj që politika duhet të bëjë që të kujdeset për të krijuar një hapësirë sa më të gjerë dhe sa më pjellore për të gjithë ata që janë njerëzit e kësaj pune”, tha Rama.

Sepse, shtoi Rama, “patëm një orë të errët në historinë tonë bashkëkohore kur në 100- vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë inicioi një proces për të hapur debate që vendet e tjera të civilizuara i kanë mbyllur prej shekujsh”.

Rama citoi edhe albanologun Maximilian Lambertz, i cili shkruan se, “historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen të shkruajnë historinë e tyre”.

“Tani u bënë shumë vite që nuk na pengon askush që ta shkruajmë historinë tonë, por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne. Dhe në këtë përballje me vetveten në radhë të parë ne po përpiqemi siç bëmë me fjalorin që të mbështesim dhe e kemi mbështetur Akademinë e Shkencave për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve”, tha Rama.

“Mesa jam informuar kanë thuajse përfunduar ato volumet jo problematike, se deri tek Mesjeta merremi vesh përgjithësisht, duke përjashtuar këtu zëdhënësit e pellazgëve që janë një prurje më vete në këtë lëmë. Dhe që duke folur për pellazgët në fakt përpiqen të mbrojnë interesa të tyret, por tani vjen dhe pjesa e vështirë, ose më e vështirë por nuk është përsëri puna imë, nuk është puna e qeverisë të ndikojë sesi do të dalë në librin e madh të historisë kjo pjesë tjetër, e cila vjen dhe afrohet shumë pranë të gjallëve që janë ende sot, fatmirësisht, në jetë dhe janë aktivë”, u shpreh Rama./ KultPlus.com

Të ngjajshme