26 Maj, 2022 - 10:30 am
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Maj 2022
“New York Herald Tribune” ka botuar, të premten e 18 gushtit 1939, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e mbretëreshës Geraldinë realizuar asokohe në kështjellën e La Maye në Versajë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Edukimi amerikan për Skënderbeun (Leka Zogun) i marrë në konsideratë nga mbretëresha Geraldinë
Mbretëresha shqiptare në mërgim në Versajë e intervistuar thotë se shqetësimi kryesor tani është rritja e djalit katërmuajsh; Planet e së ardhmes të pasigurta
Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, e cila tashmë jeton në Versajë, pas fluturimit (udhëtimit) dramatik nga Tirana kur italianët pushtuan Shqipërinë, tha dje në një intervistë ekskluzive për United Press se djali i saj prej katër muajsh, Princi Skënderbeu, mund të shkollohet në Shtetet e Bashkuara.
Sytë e saj duke buzëqeshur me miqësi ndërsa fliste, mbretëresha e re e gjatë dhe e bukur shpjegoi këtë mundësi duke thënë se “të gjithë e dinë se çfarë vendi i mrekullueshëm është.”
Nëse grushti i shtetit italian i së Premtes së Shenjtë merr fund, Princ Skënderbeu mund të vijë një ditë në fron në qytetin e sapomodernizuar të Tiranës.
Të edukohet si njeri
“A do të arsimohej për të qenë një mbret demokratik?” u pyet mbretëresha.
“Ai do të edukohet para së gjithash për të qenë burrë,” u përgjigj ajo shpejt.
“Ai do të edukohet në të gjitha gjuhët e rëndësishme, duke përfshirë anglishten dhe frëngjishten.”
Çifti mbretëror, që tani jeton në kështjellën e La Maye në Versajë – shtëpia e banuar dikur nga Duka dhe Dukesha e Windsor-it – planifikojnë që më vonë djali i tyre të ketë shoqëruesë anglezë dhe francezë për t’i ardhur në ndihmë dados aktuale gjermane.
Kurorëzuar me besim
Por edhe nëse një ditë do të kishte fronin e tij, ai kurrë nuk do të mbajë një kurorë – pasi nuk ekziston. Mbretëresha Geraldinë e shpjegoi këtë situatë në këtë mënyrë: “Kurora e Shqipërisë është vetëm simbolike. Populli i Shqipërisë na kurorëzoi me vetë besimin në pavarësinë e vendit. Kjo është shumë më e qëndrueshme. Emblema e vendit tonë është helmeta e Skënderbeut.” Skënderbeu ishte heroi i madh kombëtar i Shqipërisë.
“Ai është aq i vogël sa nuk kemi bërë ende shumë plane për të ardhmen e tij,” tha Mbretëresha Geraldinë.
E qetë dhe e hijshme, mbretëresha e re më priti me një shtrëngim duarsh të fortë në dhomën e pritjes së vilës.
Mjaft e çuditshme, mbreti Zog dhe gruaja e tij e morën me qira kështjellën pa e ditur se më parë ajo ishte banuar nga Windsor-ët.
Nëna banon në kështjellë
Me mbretëreshën Geraldinë gjatë intervistës ishte nëna e saj, tashmë gruaja e një oficeri të ushtrisë franceze.
Mbretëresha e re kishte veshur një fustan të bardhë sportiv me një xhaketë me stampa bardh e zi, të cilët i bleu ndërsa ajo dhe mbreti Zog po udhëtonin nëpër Evropë gjatë rrugës nga Turqia në Francë.
Ajo hodhi poshtë çdo përmendje të modave dhe stileve duke thënë se tani i kushton pak rëndësi “elegancës”, duke pasur parasysh se ka çështje shumë më të rëndësishme për të vendosur. Ajo ende nuk i ka blerë rrobat e reja të vjeshtës, por planifikon t’a bëjë më vonë – ndonëse nuk e di se te cili stilist i Parisit do të shkojë.
Planet e ardhshme të familjes mbretërore duken të pasigurta. Tre motrat e Mbretit, të cilat kanë qenë me ta që nga fluturimi (udhëtimi) i ethshëm nëpër malet e Greqisë, do të qëndrojnë me shumë mundësi në kështjellë.
E pyeta mbretëreshën Geraldinë se cila pjesë e kështjellës madhështore i pëlqente më shumë. “Dhoma e bebit tim”, tha ajo me një sinqeritet simpatik. /KultPlus.com