16 Shkurt, 2018 - 11:47 am
Alberina Haxhijaj
Instalacioni metalik me shkronja “NEWBORN”, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ishte zbuluar në Ditën e Pavarësisë – më 17 Shkurt 2008. Ai monument fillimisht ishte i hapur për të dhënë nënshkrime në të. Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ish-Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, vunë nënshkrimet e para në NEWBORN. Kësisoj, vepruan edhe shumë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Por pamja e “NEWBORN”-it së bashku me mesazhet që ai transmetonte ndryshuan ndër vite.
Monumenti “NEWBORN” (nga anglishtja “i porsalindur”), është i ndërtuar nga një skelet çeliku i mbuluar me shtresë metali 4mm të trashë. Çdo shkronjë është 3 metra e lartë dhe 1 metër e thellë, me peshë prej përafërsisht 1 tonelate. I gjithë instalacioni është 24 metra i gjerë.
Monumenti ishte për vite i ngjyrosur në të verdhë dhe e mbuluar me nënshkrimet dhe mesazhet që lanë qytetarët e Kosovës por edhe ata që e vizituan këtë monument. Ngjyra e verdhë përfaqësonte flamujt e Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky monument i cili edhe fitoi disa çmime ndërkohë si: Cannes Gold Lion, Silver Clio, Silver Eurobest, Golden Drum Grand Prix dhe të tjera, qëndroi i njëjtë deri në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pasi që krijuesve të monumentit iu ishin refuzuan kërkesat e njëpasnjëshme për mirëmbajtje dhe ngjyrosje. Atyre që në përvjetorin e parë iu mohua realizimi i idesë fillestare, që të ngjyroset ndryshe për çdo vit dhe të zbulohet me pamje të re për çdo datë të 17 shkurtit.
Duke qenë simbol i pavarësisë skulptura ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e mediave të huaja. Reklama më e mirë këtij monumenti është bërë në vitin 2012 nga këngëtarja shqiptare, Rita Ora e cila në klipin e këngës së saj “Shine Ya Light” u paraqit duke kënduar mbi “NEWBORN”. Ky simbol po ashtu në vitin 2012-të, pra në katër-vjetorin e pavarësimit, ishte shfaqur edhe në reklamën 1 milionëshe në CNN ku për 24 orë këmba e shkronjës “B” ishte ngjyrosur me të zezë, nga persona të panjohur, duke bërë që fjala “NEWBORN” (i porsalindur) të duket si “Newporn”.
Por pak ditë para 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2013, Qeveria e Kosovës mori vendimin ta ngjyroste atë me ngjyrën që e pati që në fillim – të verdhë, e cila nga krijuesit u cilësua se nuk ishte e njëjtë me parapraken. Kështu si shenjë revolte, vetëm dy ditë para 5-vjetorit të Pavarësisë, krijuesit u bënë një thirrje qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter, që të ndihmonin në ngjyrosjen e monumentit, me flamujt e 98 shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Duke e konsideruar këtë si mënyrë falënderimi për njohjet, një porosi shteteve të tjera që të na njohin, si dhe një përkujtim Qeverisë së Kosovës se ka shumë punë për të bërë, që t’ia sigurojë vendit ulësen në OKB.
Një vit më vonë në vitin 2014, “NEWBORN” tërhoqi vëmendjen e medieve për faktin se shtetit ende i mungon ushtria e vet. “NEWBORN”-i ishte “veshur” me rroba ushtarake në shenjë respekti për 15 vjetorin e çlirimit nga NATO-ja dhe UÇK-ja.
“Sivjet, për hir të flijimit të popullit tonë gjatë luftës së vitit 1999, sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës kolosale të Aleancës Veriatlantike (NATO), do të kremtohet viti jubilar i 15-të i paqes në Kosovë, me pamje të uniformave ushtarake të asaj kohe”, u tha në njoftim. Kështu çdo shkronjë pati larat e njërës prej ushtrive kryesore botërore të asaj periudhe, ose të uniformave me të cilat është identifikuar UÇK. “NEWBORN” këtë vit më së shumti iu dedikua atyre që dhanë jetën, që “NEWBORN” të jetojë. Por puna guerile e lyerjes këtë vit shkaktoi kritika për temën e saj ushtarake dhe ngriti pyetjet rreth asaj se çfarë përfaqëson monumenti dhe kush mban të drejtën për të ndryshuar pamjen e tij.
Në vitin 2015 “NEWBORN” vuri theksin të liria e shprehjes. Nën moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, ky monument u ngjyrosë nga vetë qytetarët. Një diell, një sy, një lule, një raketë, një katrorë i zi ishin vetëm disa pjesë nga vizatimet e shumta që realizuan vet qytetarët. Ata ishin të lirë të pikturonin çdo shkronjë, përveç shkronjës “E” e cila mbeti e zezë, duke simbolizuar emigrimin masiv të kosovarëve në vitin 2015.
Kurse viti 2016 e solli “NEWBORN” më ndryshe duke marrë pamjen e një qielli të kaltër me re e me gjemba. Izolimi ishte koncepti mbi të cilin u ngjyros Monumenti i Pavarësisë në ditëlindjen e tetë të shtetit. Gjembat simbolizonin pengesat për të kapërcyer kufirin lirshëm. Pamja e re tregonte qiellin që një shtet i ri s’po ia del ta mbërrijë për shkak të pengesave. Gjithashtu ishte simbolikë e pamundësisë së vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian. E në aspekt global, ishte edhe zëri i dyndjeve të refugjatëve që kanë qenë kryelajm në medie botërore.
Në vitin 2017 shkronjat ‘N’ dhe ‘W’ e këtij monumenti u rrëzuan. Poshtë shkronjave të rrëzuara u dha mesazhi “No Walls”, (nga anglishtja “pa mure”). Duke përcjellë mesazhin se në një botë ku çdo ditë po krijohen mure, dhe lëvizja e lirë çdo ditë e më shumë po kushtëzohet nga mendjet e ngushta, e në Kosovën e brishtë ku një mur vazhdimisht po e cenon sovranitetin e shtetit, “NEWBORN” dëshiron që ti rrëzojë këto mure për hir të njerëzimit. Kështu “NEWBORN” kësaj radhe përçoi një mesazh të fortë, kundërshtimin e mureve, apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh mes njerëzimit.
Këtë vit për të shënuar 10-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës shkronjat e “NEWBORN”-it, të vendosura para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, janë larguar për me iu gërryer ngjyrat, ndryshku edhe papastërtitë që ka mbledhë ndër vite, duke marrë kështu trajtimin e merituar, por edhe për tu kthyer me një pamje të re këtë vit./ KultPlus.com