Nezir Kraki: Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim

19 Shkurt, 2018 - 2:44 pm

Në Universitetin e Gjenevës, sot duke filluar nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj në 10 vjetorin e pavarësisë. Ligjërues do të jetë profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki.

Nezir Kraki në një prononcim për KultPlus, ka treguar se do të diskutohet dekada e parë e Kosovës si shteti i pavarur dhe demokratik.

“Në dekadën e parë si shtet i pavarur, Kosova ka arritur ta dëshmojë ekzistencën e saj si në rajon ashtu edhe në botë. Megjithatë, për arsye politike kryesisht të brendshme, ekzistenca e Kosovës si shtet serioz nuk ka shkuar deri në pikën e shpresuar. Ngecjet në bisedimet e pamenduara mirë me Serbinë kanë bërë që shumë shtete ta shohin çështjen e Kosovës si të pambyllur. Kjo na ka kushtuar pastaj me vonesa në rrugën e integrimeve sepse sikur u rihapen tema për të cilat ishte rënë dakord më herët”, është shprehur Kraki, për KultPlus.
Tutje ai thotë se ngërçet politike dhe qeveritë pa programe konkrete zhvillimore kanë bërë që shpresa për rimëkëmbje të zbehet, sidomos tek rinia.

“Në njëfarë formë, tranzicioni u tejzgjat nëse e marrim edhe periudhën e UNMIK-ut plus 10 vite pavarësi. Tash e tutje Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim, vrapim sprint madje për t’i zënë hapat e pabëre. Duhet që urgjentisht t’i ofrohet shpresë dhe dritë në fund të tunelit gjeneratës së parë të pasluftës. Nëse edhe ata zhgënjehen, atëherë ndërtimi i shtetit konsiderohet dështim total. Pavarësinë e kemi, duhet ta bëjmë shtetin”, përfundoi ai për KultPlus./ KultPlus.com

Të ngjajshme