9 Gusht, 2021 - 7:57 pm
Parku Kombëtar Mali i Tomorit, 20-30 km në lindje të qytetit të Beratit, me një sipërfaqe rreth 4000 ha, mbetet ndër destinacionet më të frekuentuara nga vizitorë vendas dhe të huaj për kampingje, pelegrinazhe, tracking etj.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat bën të ditur se turistë të shumtë nga Çekia, Holanda, Kroacia Sllovakia, Gjermania deri edhe nga vendet e Lindjes së largët, kryesisht Japonia e zgjedhin Malin e Tomorit mes destinacioneve të tyre.
Së fundmi një grup motoristash nga Çekia vizituan Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.
Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, honet, lugina dhe gjelbërimi i pamasë që e bën Malin e Tomorit një nga destinacionet unike të turizmit malor, u vizitua dhe nga një çift marokenësh dhe turistë gjermanë.
Po gjatë këtyre ditëve të nxehta edhe një grup me turistë nga Danimarka, të shoqëruara nga operatorët turistikë lokale vizituan këtë park kombëtar me majën më të lartë 2416 metra.
Ndërkaq rruga drejt Malit të Tomorit po merr formë dita-ditës, për të shkurtuar kohën e lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë, por edhe për t’i hapur një perspektivë të re turizmit të kësaj zone. /atsh/ KultPlus.com