Nga protesta poetike tek etja për përgjigje: Etnofesti në ditën e tetë

18 Gusht, 2024 - 6:00 pm

Alisa Buzhala

Në ditën e tetë të Etnofestit, publiku pati mundësinë të përjetojë një tjetër seri ngjarjesh të veçanta që përçuan mesazhe të thella përmes formave të ndryshme të shprehjes.

Performanca skenike “Luftë a Tifo,” e realizuar nga Alban Nimani dhe Shpëtim Selmani, u dallua për kombinimin e protestes sociale poetike me muzikën eksperimentale, duke krijuar një përvojë të fuqishme që reflektoi mbi çështje shoqërore.

Kjo duo performoi për rreth 30 minuta, duke sjellë një interpretim të ngarkuar me satirë dhe elemente të reja kreative.

Gjithashtu, dita e tetë shënoi finalizimin e shfaqjes “Etja,” një produkt i laboratorit teatror i cili filloi në ditën e parë të këtij edicioni,  i  drejtuar nga regjisori italian Mario Biagini, bashkëpunëtor i Jerzy Grotowskit dhe drejtori i Qendrës ‘Jerzy Grotowski’ në Itali.

Pas vetëm gjashtë ditësh provash, Biagini dhe aktorët arritën të sjellin një shfaqje që përfshinte këngë tradicionale, dialog të thellë dhe emocione të fuqishme, mbi etjen, rigjetjen e përgjegjeve.  

Regjisori nga Italia, Biagini, shprehu admirimin e tij për Kosovën, duke e përshkruar si një vend me rrënjë të thella në të kaluarën dhe me një shpirt artistik të pasur.

Biagini vuri në dukje se këto rrënjë bashkëjetojnë me një gjeneratë të re, kozmopolitane dhe globale. Këto komente treguan respektin e tij për kulturën dhe artin në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij ndaj procesit krijues që ndodhi gjatë Etnofestit.

Prania e madhe e spektatorëve vazhdoi të jetë një dëshmi e suksesit të këtij edicioni të Etnofestit.

Në terrasën ku u zhvilluan aktivitetet muzikore, atmosfera ishte e gjallë dhe e mbushur me energji. Këngetarja në mbrëmjen e parafundit ishte Ereza Cerkini bashkë me bendin e saj.  Me një përzierje të këngëve ritmike dhe atyre tradicionale, të ripërpunuara në kompozime të reja, ata krijuan një atmosferë të këndshme që mbajti publikun në pistën e vallëzimit deri në orët e vona të natës.

Kjo natë, si një nga të fundit të këtij edicioni, nënvizoi edhe një herë fuqinë e shprehjes krijuese dhe bashkimin e brezave, duke bërë që Etnofesti të vazhdojë të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit./ KultPlus.com

Të ngjajshme