Nga Skrapari, mysafir në paradën e arbëreshëve

31 Gusht, 2018 - 4:00 pm

Nga Sulo Gozhina
Kthehet në Vendlindje grupi popullor i Isopolifonisë, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali.

Është kthyer në qytetin e Çorovodës ku dhe është pritur nga kryetari i bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali. Me këtë rast kryetari i bashkisë Spahiu falënderoj artistët që përfaqësuan një trevë sa mikpritëse e bujare, po edhe aq artdashësve, ndërsa falënderoj edhe miqtë arbëresh në Itali, për mikpritjen e grupit të artistëve, si dhe “Rai 3” që i kushtoi një rëndësi të veçantë eventit dhe kryesisht grupit të Skraparit që interpretoi mes dhjetëra grupeve në këtë event të rëndësishëm në Kalabri….. Në këtë kontekst kënga skraparase ka bërë jehon në mes të vëllezërve arbëresh. Le t’i urojmë suksese sot, Grupit Folklorik të Skraparit që ishte mes vëllezërve arbëreshë me këngën, traditën dhe krenarinë që na përfaqëson denjësisht në çdo event… Skrapari është një këngë që nuk mbaron ndër shekuj… le ta ruajmë së bashku traditën e bukur popullore.

Nënkryetarja e bashkisë e cila shoqëroj grupin në fjalë Rudina Llango tha për gazetën se ishte një performancë e shkëlqyer e grupit popullor të Isopolifonisë “Riza Cerova”, ku me interpretimin e tij, këngëve dhe valleve në një skenë madhështore e ngritur enkas për këtë event, grupi në fjalë, jo vetëm mori duartrokitjet e atij publiku artdashës e patriot, por me vallet e tij, grupi ngjiti në skenë qindra banorë arbëreshë, ku më e veçanta për publikun arbëresh që duket se ngriti peshë edhe zemrat e tyre, ishte kënga e vogëlushes Keilin Harizaj “Xhamadani Vija –Vija”. Krenar Xhaferri drejtori për turizmin dhe marrëdhëniet me jashtë në këtë bashki tha se pjesëmarrja në event e grupin nga treva Skraparit ishte një ftesë e ardhur në bashkinë Skrapar nga kryetarit të komunës Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla. Në këtë event e veçanta ishte se veç këngëve dhe valleve popullore, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”, i bashkisë Skrapar, mori pjesë në Paradën e Kostumeve Arbëreshë 2018.

Vlen të përmendet se është hera e parë pas 25 vjetësh që një grup i këngëve dhe valleve popullore të trevës të Skraparit nga Shqipëria merr pjesë në një event të rëndësishëm në Kalabri dhe kjo u mundësua nëpërmjet kontributit të Ish-Ministrit të Turizmit Damiano Gualiardi si dhe mbështetjes së kryetarit të bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla.

Në këtë event merrnin pjesë grupe popullore nga komuna të shumta arbëreshe të veshura me kostume tradicionale popullore. Në këtë event madhështor të pikasur, jo vetëm nga përformancat e shkëlqyera të grupeve të ftuara që ishin veshur me kostumet tradicionale popullore, por dhe nga interpretimi i shkëlqyer në skenën e krijuara enkas që shkonin në harmoni me kostumet, këngët, vallet dhe traditat popullore të secilit grup. Skrapar përbëhej nga grupi i burrave i përbërë nga këngëtarët Nesim Meno, Sefedin Çela, Kastriot Aliohoxha, Nikola Meno dhe i grave i përbërë nga këngëtarët Dashuri Hysaj, Drita Qafoku, Djana Ymeri, Zhaklina Musabelliu, Isabela Kuçi, pjesë e grupit ishte dhe vogëlushja Keilin Harizaj. Parada e kostumeve arbëreshë 2018, filloi me manifestimin e grupeve të ftuara të cilat të veshura me kostume popullore, parakaluan në rrugët e qytetit të zbukuruara me pankarta.

Grupi i Iso-polifonisë i bashkisë Skrapar paraprinte paradën i veshur i gjithi me kostume popullore si dhe gjatë paradës valëviste flamurin e bashkisë dhe Flamurin Kombëtar. Ngjyrat e ndezura të kostumeve, ornamentet e tyre, ngjallën kuriozitetin e arbëreshëve të cilët nuk nguronin që të pozonin së bashku me grupin për të shtuar në arkivin e kujtimeve të tyre edhe foto nga grupi i Skraparit i veshur me kostume tradicionale . Gjatë paradës grupet e ftuara si dhe grupi i Skraparit performuan live këngë të ndryshme popullore të cilat krijuan një atmosferë festive . Në mbrëmje grupi popullor i Isopolifonise “Riza Cerova” dha e një Koncert festiv. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla vlerësoi shumë pjesëmarrjen e grupit “Riza Cerova” në event si dhe theksoi faktin që shqiptarët kudo që janë paraqesin vlera dinjitoze njerëzore dhe integruese duke u shndërruar në faktorë zhvillimi dhe shembulli më i mirë i këtyre vlerave ishte komuniteti i shqiptarëve që jetonin në këtë komunë të mirëintegruar që gëzonin vlerësimin dhe mirënjohjen e komunitetit.

Pas fjalës së kryetarit Antonio Pomilla, ishte radha e grupit për të performuar në skenë. Shfaqja e hap me këngën e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj, “djemtë e Skraparit” e cila menjëherë krijojë atmosferë veçanërisht tek komuniteti shqiptar të cilët u ngritën dhe kërcyen së bashku me grupin. Pas saj ishte radha e këngës popullore “O Skrapar mali me lule” e kënduar nga këngëtarët Nesim Meno dhe Sefedin Çela, bilbilave të Skraparit, pasardhësve të denjë të artistit të popullit Demir Zyko, te cilët me fuqinë e zërit, bënë për vete publikun duke marrë duartrokitje të shumta. Atmosfera festive vazhdoi me performancën e këngës “sevdaja mu shtua”, e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj e cila e menaxhon mjaft mirë skenën dhe krijon atmosferë. Kënga isopolifonike “Porositë e mia” e interpretuar nga këngëtaret Drita Qafoku dhe Djana Ymeri u prit me duartrokitje të shumta nga publiku . Mbyllja me interpretimin e vogëlushes Keilin Harizaj me këngën “Xhamadani Vija –Vija” e ngriti në këmbë publikun, i cili festoi së bashkë me grupin e Skraparit në skenë.

Grupi Isopolifonik i Skraparit krahas vlerësimeve kombëtare çmimeve të shumta të marrë në festivale, korri dhe një tjetër sukses të madh në skenat kalabreze duke marrë dhe ftesa për koncerte të tjerë. Vlen të përmendet se mes “ngjyrave” shekullore që flasin shqip, kostumeve, traditave, ritualeve dhe festës arbëreshe, në Vaccarizzo Albanese, Itali – këtë vit mori pjesë edhe grupi folklorik i Skraparit. Edhe rrjeti televiziv Rai 3, në edicionin rajonal foli për vëmendjen që tërhoqi ky event dhe për pjesëmarrjen e grupit tonë folklorik i kësaj bashkie./ KultPlus.com

Të ngjajshme