Nga vendi i Shqyptarve

13 Janar, 2025 - 12:31 pm

Përgaditë prej Pjeter Logorecit

Foto në ballinë e marrë nga shtypi austriak i kohës ku shihet Imzot Nikollë Kaçorri tuj shoqnue Konteshën Sophie von Schönburg-Waldenburg që viziton t’plagosunit, n’Durrës.

Nga nji shkrim i gazetës austriake „Welser Zeitung“, datë 29 shtator 1915.

Ky shkrim, i pregaditun nga nji gazetar austriak me pseudonimin Petrus Eremita, asht botue në shtypin austriak të kohës, në të njajtën kohë e pothuejse në të gjitha gazetat. Mbasi e gjeta shumë interesant, vendosa me e shqipnue tuj e marrë nga  fletorja e njohtun „Vorarlberger Volksblatt“ të cilen e pata në dorë në biblioteken kombëtare në Vjenë.

Tuj kenë se çdo europjan e njihte mirë situaten e vështire e komplekse të Ballkanit në lufte, ishte me  interes me i dhanë informacione të reja nga fronti, e sidomos nga nji vend i panjohtun si Shqypnija që sapo kishte dalë nga sundimi osman. Autori, i cili gjatë nji udhëtimit ka pasë nji takim rastësor me atdhetarin e intelektualin Dom Nikollë Kaçorri, e ka shfrytëzue ktë mundësi te “artë” për të marrë nga ai, në formën e nji interviste me pytje pikante, informacione të reja rreth luftës, situatës së mbrendëshme në Shqypni, si dhe me dijtë diçka ma shumë për nji nga popujt ma të vjetër të Europës.

Gazetari për të nxitë kureshtjen e lexuesve e fillon shkrimin kështu:

….Atë çka din e mendon nji njohës i mirë i Shqypnisë, për të sotmen e të ardhmen e saj, mundeni që ta lexoni në shkrimin ma poshtë….:

       Fati deshti që, gjatë nji udhëtimi për pushime, me 29 gusht, të takoj në nji bujtinë në Innsbruck, një përfaqësues të mrekullueshëm të popullit guximtar shqyptar, të cilit Konferenca e Londonit (1912 / 1913) ja njohu lirinë, megjithëse me nji cungim të ashpër të territorit shqyptar. Mbas darke, isha ulun e po bisedojshe me nji mjek nga Karlsruhe. Sapo ishim kthyer nga udhëtimi në Ötztal, (egzakt nga fshati Kühtai) dhe biseda jonë sillej rreth dy fuqive perandorake në luftën botnore. Pranë nesh bisedojshin në frëngjisht tre burra, njeni nga të cilët ishte Oberjäger (nënoficier me uniformë austriake) dhe kishte nji trup madhosh të fuqishëm e ftyre të ashpër e të zeshkët. Nentogeri dhe njeni nga të tre u larguen shpejt dhe ai që mbet,  me i vjetri, nji burrë rreth 50-60 vjeç, i veshun me rrobë të trashë të zezë, u suell nga na dhe i heshtun po ndiqte me kureshtje biseden tonë. Ktu unë, mbasi e ndigjova që ma parë flitte nji frengjishte të mirë, ju drejtova përzemërsish në gjermanisht tuj e pyet me mirësjellje nëse ai kishte kohë të gjatë që udhëtonte dhe nëse ishte ndalue në Innsbruck përkohësisht? Burri u pergjigj në gjermanishte mjaft të rrjedhëshme por, kur ndonji fjalë nuk i vinte e flitte atë në latinisht ose italisht.  

      Nga vizitëkarta që na dha mësuem që ky udhëtar e mik interesant ishte Dom Nikollë Kaçorri, famullitar i Durrësit në Shqypni.  Tuj kenë se në dhomë ishim vetëm, muejtëm me bisedue me priftin për popullin e tij të çuditshëm, trashëgimtarë i mbetun nga rranjët thrako/ilire, që vetëquhet „Shqyptar“. Duhet përmendë që famullitari i Durrësit, Kaçorri, ishte zëvendëspresident i komitetit të pamvarun që organizoj ardhjen Princ Wied-it në Shqypni. Deri sa u largue, prifti i mendshëm ju përgjegj direk dhe hapun, pa ngurrim, të gjitha pyetjeve tona.

  • Zotni famullitar, kur jeni largue prej Durrësit?

      „Para fillimit të luftës. Isha në udhëtim me arqipeshkvin e Durrësit, kur u befasuem prej luftës. Shkojshim në Romë për nji takim me Papen e shejtë. Mbasi kryem misionin tonë aty, unë që qysh ma heret pata kuptue qëndrimin e gabuem të Italisë karshi nesh, i tregova drejuesit tem që:… personalisht nuk mund të qindroj në mes të nji populli të gabuem; i kërkova atij që në kjoftë se “mëshira e madhnisë” tij më lejon, dishroj me udhëtue drejt Zvicrës. E kshtu lashë Romen, me mirëkuptimin e Arqipeshkvit tem, për me shkue atje ku mund të jem i anagzhuem pa u pengue për të miren e popullit tem.“

Mandej famullitari i Durrësit na tregoj mbi udhëtimet e vend ndalimet e tij të deri tashme.

  •  A thue po ndodh që shqyparët nuk kanë besim te italianët, e pyeta?

     „Ne asnjë mëndyrë, u përgjigj i bindun famullitari. Italianët tashma janë në Durrës, por ndikimi i tyne aty zgjat aq sa na kemi armët dhe paret e tyne; edhe pse nganjiherë konsulli i njohtun Alliotti, në kohë të Wiedit, asht mundue me e ruejtë influencen italiane me pare. Në anen tjetër, aty presin me padurim që të hyjnë në qytet serbët të cilët ndodhen vetëm pak kilometer larg Durrësit.“

  • Por Essad Pasha a ka nji influencë të madhe, çka duket?

     „As ai jo. Ai edhe familjaret e tij i ka kundër. Ai burri i madh me uniforme që ishte i ulun deri tashti me mue, p.sh., asht nji kushri i tij e megjithatë ai asht vullnetar në ushtrinë austriake. Essad Pasha asht burrë me karakter të dobët e të pandershëm, e unë i a kam thanë ktë në ftyrë, në kohen e rezistencës së tij kundër Wiedit: Ty Essad dhe dy të tjerë si ti duhet me ju lidhë që të ketë qetsi Shqypnija.“

Nga sytë që i xixëllojshin, dukesh zjarmi i tij i mbrendshëm që e pushtoj kur tregoj kto kujtime, e na kuptuem se me çfarë dhimbjet e keqardhjet personale e ndiqte ai gjendjen e vështirë të popullit të tij.

  • Çka shpreson populli shqyptar se do ti sjellë kjo luftë botnore?

      „Pamvarsinë e tij, n.q.s. do të jetë e mujtun. Mbas ksaj, ka me u dashtë që Austrohungarija e Gjermanija të lanë n’Shqypni 10 deri në 15 vjet pesëmijë trupa për ruejtjen e rregullit e të qetsisë si dhe për forcimin e mardhanieve në mes të njerzve në atë vend. N.q.s. do të ishte i tepërt kërkimi i Pamvarsisë, at-herë do të ishte mirë per ne që të trajtoheshim si provincë e Austrisë.“

  • Po, por aty ka tre besime të ndryshme?

      „Katolikët dhe muslimanët janë të lidhun me njeni tjetrin e orthodoksit janë të pakët në numër. Mardhania në mes katolikëve e muslimanëve asht e kënaqëshme; priftat katolik janë të vlersuem nga muhamedanët.“

  • Nji princ shqyptar në të ardhmen, a do të ishte punë me mend?

      “Sigurisht, po të ishte nji njeri i mendshëm, që do të trajtonte me drejtësi popullin tonë liridashës; por at-herë do të duhej që Shqypnija të bante çdo gja vetë. Me kamxhik nuk mundesh kurrë me u marrë vesht me nji shqyptar. Njerzit janë shumë mikpritës, të ndershëm, të zgjuet e besimtar. Ushtarët ma të mirë turq, ishin siç dihet, shqiptarët tonë. Po ashtu populli jonë i ka dhanë perandorisë turke edhe drejtues të famshëm ushtarak e burra shteti.“

  • Por, vazhdova të pyes, populli shqyptar a mos asht i vogël në numër që të ndërtojë nji shtet funksional të vetin?

      “Jo jo, tha me siguri famullitari Kaçorri. Populli shqyptar, siç edhe ju e dini, shtrihet edhe jashtë kufijve të Shqypnisë, që vendosi Konferenca e Londrës. Janë pjesë e popullit tonë edhe banorët e krahinës të Serbisë të „Re“, të disa pjesëve të Malit të Zi; po ashtu nga Dibra deri në Prizren e Gjakovë, nga Shkupi deri mbi Prishtinë e n`vazhdim…. Të gjitha kto krahina pjellore popullohen nga fise shqyptare, që ma mirë preferojnë me kenë turq se sa serb ose malazez. Ato toka duhet të na kthehen prap se i përkasin Shqypnisë. Kshtu që mund të numrohena 2 deri në 3 milion shqyptar ndër ato krahina.“

  • A mos asht kultura në Shqypni e mbrapambetun?

    “Nën sundimin turk na muejtem me u zhvillue shumë pak. Shumë prej nesh shkuen ndër shkollat katolike në Shkodër, larg shpisë, për mësime të mesme e të nalta, e kto studentë ndikuen me kulturen e tyne për mirë në popull. Gjithashtu katolikët e Shqypnisë të epërme kanë nji shkallë kulture të mirë. Kushtet klimaterike të Shqypnisë mundesojnë prodhim të mirë drithnash, por edhe prodhim të venës, me pak ndihmë prej jush. Vendi ka shumë burime e pasuni natyrore për nji jetë të mirë, vetëm pret që të hapet.”  

  • A keni ju ipeshkvi shqyptar?

      „Sigurisht. Të gjithë ipeshkvijtë katolikë. Dy arqipeshkvijtë e Shkodrës e Durresit si dhe tre ipeshkvijtë e vjetër si dhe abatin e Mirditës, të gjithë janë shqyptar, të lindun aty.“

  • A mos asht gjuha shqype e përzieme më shumë fjalë nga turqishtja, sllavishtja, latinishtja dhe greqishtja aq sa nuk mund të quhet degë e pemës gjuhësore indogjermane?

      „Përziemja me elementë të gjuhve të tjera, në shqyp, nuk asht aq e ndjeshme sa mendohet. Mund të kena marrë ndonji elemente te huaj gjuhesor nga kohët e pushtimit të romakëve të perendimit apo të lindjes,  sllavëve e të osmaneve, sigurisht. Megjithatë gjuha shqype, ajo që unë di dhe flas, asht ruejtë edhe pse në vështirësi, letersia jonë modeste ka nji autor lirik të famshëm të kohës moderne, nji prift françeskan. Vargjet dhe kangët popullore në shqyp janë të shumta.“

  • A do të pranojshin shqyptarët nji princ serb apo italian si udhëheqës?

      „Kurrë, kundërshtoj i vendosun bashkëbiseduesi ynë, – as edhe nji malazias; ato nuk mund të gjejnë empati në Shqypni.“

Tuj u nda prej ktij burri interesant, me energji të pa shterrëshme e me shprehje ftyre impresionuese, i uruem e i dishruem me gjithë shpirt „Pamvarsim“ për vendin dhe për popullin shqyptarë, nji prijës të përkushtuem për atdheun e tij. Ky urim e gzoj shume trimin popullor qe me 1 shtator vazhdoj udhetimin per ti sherbye me zjarm popullit të tij. Në Lezhë ndodhet vorri i prijsësit të famshëm katolik shqyptar Skanderbeg, i cili deri ditën e vdekjes, me 17 janar 1468, luftoj e ishte fitimtar kundër turqve. Dashtë Zoti që të sjellë për popullin shqyptarë nji kohë të re me paqë e nji ndriqim kristjan nën kunoren e nji udhëheqësit që do të kishte shpirtin e Skanderbeut.

Materiali u punue dhe u dergue nga Vjena në Janar 2025

Kjo foto e panjohur e nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, themeluesit të shtetit shqiptar, arkitektit të Pavarsisë, Imzot Nikollë Kaçorrit, e bame në Romë nga fotografi i Vatikanit dhe i Papëve, Giuseppe Felici, në studion e famëshme Fellici. Mendohet se asht ba me rastin e shugurimit të tij si meshtar (1890/1893)./ KultPlus.com

    Të ngjajshme