10 Janar, 2019 - 11:00 am
Temperaturat e ulëta dhe moti i acartë e me ngrica kanë qenë të pranishme në gjithë Shqipërinë këto ditë. Një nga sipërfaqet e ngrira si pasojë e temperaturave të ulëta ka qenë edhe Liqeni i Komanit. Ndërsa malet rreth tij janë zbardhur nga bora, liqeni është zbardhur nga ngricat.
Liqeni i Komanit është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit. Liqeni ka sipërfaqe 12 km2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 metra mbi nivelin e detit.
Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e Shekullit IV-VIII, e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. /KultPlus.com