Nis funksionimi i plotë i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për arbëreshët

18 Prill, 2020 - 8:00 pm

Nis funksionimi i plotë i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Ky është institucioni i parë i kushtuar studimit të Diasporës më të vjetër shqiptare, atë të komunitetit arbëresh.

Pavarësisht kushteve të vështira të emergjencës, ka vijuar puna pa ndërprerje për vënien në funksion të plotë të kësaj qendre kërkimore-shkencore.

Krijimi i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) synon studimin dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie, përmes koordinimit të lidhjeve më të forta me këtë komunitet për të ruajtur nga asimilimi gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve dhe për të promovuar arritjet kryesore të tyre.

Kjo qendër është krijuar në kuadër të strukturës shtetërore për diasporën shqiptare dhe do të jetë nën drejtimin e prof. dr. Diana Kastrati. Studiues të fushave të historisë, gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë etj., do të kryejnë kërkime shkencore dhe do të merren me organizimin e aktiviteteve të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme