16 Gusht, 2019 - 2:47 pm
Me moton “Një got’ për mot” edhe zyrtarisht sot është bërë hapja e festës së rrushit “HardhFest 2019”, festë kjo e cila promovon vlerat kulturore të vendit tonë.
Me aktivitete të shumta, për tre ditë me radhë, 16, 17 dhe 18 të këtij muaji, “Konaku” i Rahovecit do ofroj aktivitete të shumta për vizitorët e saj.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se vreshtarët e Rahovecit po ndihmojnë në zhvillimin e vendit. Thaçi po ashtu u shpreh se vera e Rahovecit tashmë gjendet kudo në botë.
“Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Rahovecin, është një ditë e veçantë për Kosovën edhe më gjerë sepse vera e Rahovecit sot gjendet kudo në botë, Kosovë, në rajon, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, prandaj sot jemi të gjithë kështu së bashku për tu uruar e përgëzuar ‘HardhFest’, një festë kjo e rëndësishme për të uruar të gjitha të mirat juve për punën tuaj që nuk kurseni asgjë me djersën tuaj ta zhvilloni vendin dhe ta rindërtonin dhe të keni sukses”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj theksoi se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë me politika fiskale, e lirimet tatimore pasi vetëm në këtë mënyrë Kosova do të shënojë rezultate të prekshme si rasti i Rahovecit. Ai tha se në Rahovec gjendet një model i njerëzve që me punën e tyre kanë krijuar vlera, prandaj tha se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë t’i përkrahin ata.
“Është me rëndësi të mbesim të fokusuar tek politika fiskale, lirimet tatimore, tek përkrahje e fermerëve, e vreshtarëve e pemëtarëve për shkak se nëse mbesim në këtë fokusim atëherë vetvetiu do të kemi më shumë rezultate. E vërteta është se deri tani ka rezultate dhe ja këto janë rezultatet që i shohim në Rahovec, dhe këto na inkurajojnë që të vazhdojmë me këto politika fiskale, me lehtësime tatimore me përkrahje të prodhuesve, por edhe të prodhimit vendor është tepër me rëndësi. Na vyen me shku më përpara edhe me gjyqësor kredibil për shkak se duhet me fitu oferta më e mirë, kualiteti më i mirë, cilësia më e mirë e jo të dominojnë instrumentet tjera, duhet të jemi të sinqertë ndaj vetës, pra duhet t’i eliminojmë ato dukuri, ato veprimtari, ato mangësi që i kemi në shoqëri, të gjitha edhe korrupsionin”, ka deklaruar Haradinaj.
I pranishëm në hapjen e festës së rrushit “HardhFest”, ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili deklaroi se vera e Rahovecit po zë vend çdo ditë e më shumë edhe në tregun shqiptar.
“Populli i Rahovecit meriton një mirënjohje të veçantë për shkak se vera e Rahovecit është bërë mjaftë e famshme në tregjet ndërkombëtare dhe jam shumë i gëzuar që edhe në Shqipëri gjithnjë e më shumë po ecën dhe po zë hapësirën e merituar dhe sigurisht që kjo është një kënaqësi që edhe unë do doja të ndaja me të gjithë ju sot së bashku dhe shpresoj që edhe shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Kosovës të rriten edhe më tej në të gjitha aspektet e në radhë të parë për sa i takon prodhimeve të bujqësisë, për sa i takon zhvillimit të agro -turizmit mund të mësojmë shumë nga njëri tjetri sidomos në këto fusha Shqipëria edhe më shumë nga Kosova, pasi na duhet të bëjmë shumë më tepër për të vënë në lëvizje të gjitha ato potenciale të jashtëzakonshme që kanë vendet tona”, tha presidenti i Shqipërisë.
E, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi deklaroi se festa e rrushit i bashkon të gjitha palët e interesit që të jenë më aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore për promovim të vlerave të shtetit të Kosovës. Latifi tha se “HardhFest” është ndër festivalet më të njohura në Kosovë që qytetin e Rahovecit e vendos në hartën e destinacioneve turistike.
“Festa e vjeljes së rrushit e njohur si tashmë si ‘HardhFest’ ,me të drejtë është festë për të gjithë ne, festë e merituar për të gjithë bujqit e vyeshëm dhe punëtor të komunës së Rahovecit. Ky organizimi nga viti 2001 dhe ndër vite ka identifikuar rajonin tonë vreshtar dhe tani duke e shndërruar në festë nacionale të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por jo vetëm të këtij vendi. Aktivitetet që do të organizohen gjatë këtyre tri ditëve janë të shumta dhe që ofrojnë kohë kualitative për qytetarët e Kosovës dhe turistët nga vendet e shumta, të rajonit dhe botës. Kjo festë ofron për fermerët, vreshtarët, artistët, rininë, njerëzit e këtyre zonave dhe të gjitha palët e interesit që të bëhen më aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore në promovimin e vlerave tona”, tha Latifi.
Drejtoresha e Kooperativës Bujqësore ”Krusha”, Fahrije Hoti si nikoqire për këtë vit në “HardhFest” tha se askush më mirë se kjo festë e verë nuk mund t’i prezantojë vlerat e vendit tonë.
“Kam nderin që në këtë vit të jemi nikoqire e festivalit “HardhFest” që marrin pjesë ndërkombëtar, vlerat e vendit tonë askush më së miri se ‘HardhFest’, nuk mund t’i prezantoj andaj unë uroj organizatorët për organizimin dhe punën e tyre të palodhshme të gjithë qytetarëve”, tha ajo.
Në ceremoninë e hapjes së festës së verës “HardhFest” u shpallën edhe vreshtarët më të mirë dhe ata janë: Enver Haxhimustafa, Samir Hoxha, Bilall Dërguti, Eqref Rama, Fitim Hamza, dhe Ramadan Hajda.
Përveç hapjes zyrtare të festës së rrushit sot janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh tjera siç janë hapja e Panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit, hapja e Hardh Campi, zgjedhja e Mbretëreshës së Rrushit, dhe muzikë të interpretuar nga “Legends” & Hardh Eks, Pop/Rock & DJ Koncert n’Konak. / rtv21 / KultPlus.com