19 Tetor, 2021 - 10:00 pm
Në kishën e Shën Athanasit në Voskopojë, monument kulture i kategorisë I, kanë nisur punimet për restaurimin e saj.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “shqetësimit tonë për dëmtimin e çatisë së kishës së Shën Athanasit në Voskopojë iu bashkua edhe ai i komunitetit, ndaj japim lajmin e mirë të ngritjes së kantierit të restaurimit”.
“Kisha e Shën Athanasit është monument kulture i kategorisë I, i shek. XVIII, një nga më të bukurat e Voskopojës, që ofron një informacion të pasur përmes mbishkrimeve.
Projekti i financuar nga Abi Bank – American Bank of Investments, parashikon restaurim të kupolave, të çatisë, strehës me dekoracion etj.”, tha Margariti.
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njëjtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada.
Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960. Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça.
Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të veçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit.
Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë./atsh/KultPlus.com