Nis restaurimi i Kishës së Shën Mërisë në fshatin Bishqethëm në Lushnjë

1 Shkurt, 2025 - 5:00 pm

Në Kishën e Shën Mërisë, në fshatin Bishqethëm, Lushnjë, objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII, kanë filluar ndërhyrjet konservuese/restauruese.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se “ndërhyrjet konsistojnë në restaurimin e çatisë me tjegulla të reja dhe zëvendësim i trarëve të amortizuar, restaurimi i muraturave me teknikën Shqep-Qep, me injektim, fugatim dhe suvatim, konsolidimi i materialeve të drurit, konsolidimi i muraturave dhe brezave të drurit”.

Sipas IKTK-së, pjesë e ndërhyrjes është edhe pastrimi i fasadës dhe objektit në brendësi dhe sipërfaqen rreth tij.

Pikturat e kishës janë realizuar nga Johani i cili i përket familjes së Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798. Disa prej tyre ruhen në gjendje të mirë dhe përbëjnë destinacion të rëndësishëm kulturor për t’u vizituar./ KultPlus.com

Të ngjajshme