Nis restaurimi i sarkofagut të faraonit egjiptian

5 Gusht, 2019 - 5:00 pm

Sarkofagu i artë i mbretit egjiptian, Tutankamun, është prezantuar për herë të parë jashtë varrit. Prezantimi i sarkofagut të lashtë është bërë si pjesë e punës për restaurimin e tij që do të zgjasë tetë muaj.

Gjendja e sarkofagut është shumë e dobët pasi asnjëherë deri më tani nuk është restauruar. Ky sarkofag është pjesë e tre sarkofagëve që janë gjetur në Luginën e Mbretërve në Luksor.

Këta tre sarkofagë nuk janë restauruar që kur u zbuluan para gati 100 vjetësh.

Sarkofagu dhe koleksioni i thesareve të faraonit Tutankahmun, pritet të jenë pjesët më të vlefshme të Muzeut të Madh egjiptian që ky shtet do ta hapë vitin e ardhshëm në afërsi të Piramidave të Gizës.

Arkeologu britanik Howard Carter zbuloi varrin e mbretit të dinastisë së 18 në Luginën e Mbretërve në vitin 1922. Varri ishte i paprekur dhe kishte 5 mijë artefakte. Ministria e antikiteteve të Egjiptit ka njoftuar se sarkofagu është transferuar në muze gjatë muajit korrik.

Muzeu më i madh i Egjiptit është duke u ndërtuar për 15 vjet dhe pjesërisht është financuar nga Japonia.

Ky muze do të hapet në fund të vitit 2020. /KultPlus.com

Të ngjajshme