13 Tetor, 2017 - 1:30 pm
Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u prezantua projekti pilot “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë” i cili konsideron digjitalizimin e koleksioneve dhe zbatimin e teknologjisë ndërvepruese në hapësirat e muzeve kombëtare dedikuar artit mesjetar dhe Ikonografisë të cilët ruajnë koleksione shumë të pasura dhe disa nga objektet unikale të artit ikonografik në Shqipëri dhe rajon.
Në prezantim merrnin pjesë, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kryetari i Bordit të AADF-së z. Michael Granoff, përfaqësues të Muzeve Kombëtarë në Berat, Korçë dhe Tiranë, etj. “Nëse duam ta ruajmë, ta vlerësojmë dhe ta trashëgojmë historinë tonë, duhet ti flasim vizitorit me gjuhën e kohës. Ky projekt tregon se jemi duke përdorur teknologjinë, si një nga mjetet më të mira për të vlerësuar historinë”, tha Kumbaro.
Projekti ka për qëllim të ruajë dhe promovojë vlerën unike të këtyre fondeve muzeore duke bashkuar trashëgiminë kulturore dhe teknologjinë , si dy elementë premtues në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të muzeve të konsideruar gurë themeli për industrinë e turizmit kulturor. Projekti është një nismë e AADF e cila ka angazhuar për fazën e parë të tij $ 60.000, dhe ekspertizën ndërkombëtare të: Cultural Héritage Imaging, organizatës amerikane që i ka dedikuar prej vitesh punën e saj zhvillimit shkencor të teknikave të fotografimit dhe ruajtjes së imazheve digjitale të pasurive kulturore në të gjithë botën. “Ky vend është i rrethuar me histori.
Në respekt të thesarit tuaj, ne jemi të gëzuar që mund ta mbrojmë këtë pasuri, së bashku me Ministrinë e Kulturës”, tha Kryetari i Bordit të AADF-së Michael Granoff. Ky lloj koleksioni tashmë virtual nuk e ka të dytin të paktën për momentin as në Ballkan dhe as në Europë.
“Projekti është për rivlerësim të trashëgimisë kulturore, për vizitorin e zakonshëm, për turistin e ardhshëm i cili përpara se sa të vijë do donte të kishte një pamje më të qartë, por është një teknikë fantastike e cila do t’u japë mundësinë studiuesve, historianëve, artistëve për të hyrë më në thellësi të veprës artistike të trashëguar”- tha Ministrja Kumbaro. Në këtë prezantim u treguan rezultatet e fazës kërkimore të kryer në Shqipëri nga ekspertët amerikanë të Cultural Heritage Imaging dhe specialitët e muzeve shqiptarë që kanë punuar me ta.
Projekti implementohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës , Muzeun Kombëtar te Ikonografisë ONUFRI ,Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Muzeun Historik Kombëtar dhe do të zhvillohet në 3 faza. Përgjatë këtyre fazave AADF do tё ndihmojë në vlerësimin e koleksioneve të muzeve , digjitalizimin e tyre me teknologji të përparuar (në vazhdimësi) dhe implementimin e teknologjisë interaktive brenda në muze me qëllim pasurimin e eksperiencës së vizitorëve dhe promovimin më të gjerë të vlerave të këtyre të fundit.
Në përfundim të tij projekti do të prodhojë platforma interaktive dhe materiale informuese në ndihmë të kërkimit shkencor dhe edukimit në muze dhe të dhëna të rëndësishme për stafet e muzeve duke i ndihmuar ata për të hartuar strategji bashkëkohore për nxitjen e zhvillimin e interesit të vizitorëve. Faza e parë e projektit ka filluar implementimin në qershor të këtij viti dhe ka kryer tanimë një punë intensive të ekspertëve te CHI me stafet e muzeve përmes sesioneve të trajnimit, seancave të fotografimit të objekteve nga koleksionet në: Pavijonin e Ikonografisë në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Kombëtar të Ikonografisë ONUFRI dhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.
Kjo fazë do të vijojë për t’u mbyllur në dhjetor të vitit 2017 dhe do të prodhojë material të detajuar teknik për zhvillimin dhe implementimin e fazës së dytë të projektit e cila i dedikohet procesit të vazhdueshëm të digjitalizimit të trashëgimisë materiale në rang kombëtar. / KultPlus.com