7 Mars, 2018 - 3:35 pm
Alberina Haxhijaj
Një traditë disa vjeçare mbledhë së bashku njerëzit të cilët e duan kulturën dhe gjuhën franceze. Kjo traditë e cila njihet si “Javët e Frankofonisë” këtë vit do i bëjë së bashku frankofonët gjatë muajit mars. Tri javët e mbetura të këtij muaji do të frymojnë frëngjisht, duke filluar nga sonte, shkruan KultPlus.
“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatikë të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleancën Franceze të Prishtinës së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.
Aktivitet këtë vit do të zhvillohen në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri. Në konferencën e cila u mbajt sot për të shënuar edhe hapjen e këtij organizmi, Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, u shpreh se interesi kyç i Frankofonisë është që të tregohet gjallëria e Gjuhës Frënge.
“Ne jemi të lumtur që do të prezantojmë një program mjaft të larmishëm. Sepse Frankofonia është një llojllojshmëri e popujve të ndryshëm, kulturave dhe vendeve. Gjithashtu do të ketë më shumë aktivitet sepse Kosova si anëtare vëzhguese e organizatës së frankofonisë ka mundësinë që të kyçet në Rrjetin Ndërkombëtar të Frankofonisë.”, u shpreh ai duke përfunduar fjalimin e tij me fjalët “Rroftë Frankofonia, rroftë Kosova dhe rroftë Kosova në Frankofoni.
Tri “Javët e Frankofonisë” shquhen nga një shumëllojshmëri ngjarjesh: koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca, aktivitete për të rinj. Zëvendës Ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi u shpreh se të arriturat e deritanishme në fushën e Frankofonisë, reflektojnë përkushtimin e institucioneve në favor të gjuhës frënge dhe programeve frankofone në Kosovë.
“Gjuha frënge nuk është vetëm e bukur, është gjuhë e mundësive të reja të zhvillimit dhe duhet shfrytëzuar monumentumin e krijuar që nga anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë për të përfituar nga mundësit e shumta që janë krijuar për mësim të gjuhës frënge dhe promovimin e kulturës frankofone në shoqërinë kosovare”, u shpreh ajo.
Në kuadër të organizmave një rëndësi të veçantë do të ketë edhe Festivali i Filmit i cili këtë vit ka temë “Policore”. Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet e vlerësoi lartë temën e këtij festivali.
“Nuk do e promovoj më shumë grupin zviceran i cili do të jetë në Hamam Bar, por dua që të ju lavdërojë për temën e festivalit të filmit, atë policore. Ky program më duhet të them është shumë i pasur. Unë kam pasur rastin që të shoh edh programe të vendeve të tjera por ky është një nga programet më të mira që i kam parë”, u shpreh ai.
Aktiviteti do të përfshijë edhe “Javën e shijes” e cila ka të bëj me gastronominë. Gjatë kësaj kohë do të jetë në Prishtinë kryekuzhinieri francezë Christophe Dovergne. Shefi i zyrës së Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais, e vlerësoi kontributin e atyre që e kanë përkrahur dhe ndihmuar këtë organizim.
“Frankofina ka një dimension të qartë linguistik dhe kulturorë por gjithashtu edhe një dimension politik të fuqishëm që u përmend këtu, e që shprehet në nivel bilateral duke përmendur këtu edhe një vizitë që kanë bërë një delegacion me deputet frankofonë të Belgjikës në Kosovë.”, u shpreh ai duke theksuar se brenda këtyre dimensioneve janë disa vlera shumë të rëndësishme si toleranca dhe diversiteti. Këtë e vlerësoi edhe shefja e kabinetit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti.
“Për shumë vite shoqëria kosovare ka qenë adhurues e Frankofonisë kurse sot jemi në një status tjetër, jemi vet frankofonët, për faktin se jemi pjesë e organizatës Frankofone. Jemi të nderuar që gjatë gjithë muajit mars përveç që do të dëgjojmë gjuhën e bukur francezë do të shijojmë performaca të shumta artistike që vijnë nga një prej komuniteteve më elitare, artistike, të kulturës edhe nëpër botë e që është komuniteti artistik frankofon”, u shpreh Jehona Shyti.
“Javët e Frankofonisë” do të fillojë sonte në ora 19:00 me koncertin e këngëtarit francezë Charles-Baptiste në Teatrin Oda. Kurse dita e nesërme, 8 marsi do i kushtohet gruas. Do të jetë një konferencë me temën: Të drejtat pronësore të grave në Kosovë: Trashëgimia dhe barazia para ligjit dhe shfaqje teatrore me temën e grave pioniere. Edicioni i 18-të i “Javëve të Frankofonisë 2018” do të fillojë sonte me 7 mars dhe do të zgjasë deri më 31 mars./ KultPlus.com