19 Nëntor, 2019 - 1:30 pm
Nga Aurenc Bebja
Gazeta franceze, « Le Temps », ka botuar, të martën e 14 janarit 1913, në faqen n°2, intervistën e Dervish Himës në lidhje me pretendimet shqiptare.
Atdhetari dhe publicisti i njohur shqiptar, i cili gjendej asokohe në Sarajevë, kishte për synim grupimin e figurave të njohura shqiptare që jetonin në Bosnje.
Kjo nismë do të mundësonte njëkohësisht mbrojtjen e interesave shqiptare pranë qeverive (fuqive) kontinentale dhe vënien në pah të hordhive sllave ndaj popullit tonë.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :
Korrespondenti ynë na telegrafon nga Budapesti :
« Kreu shqiptar Dervish Hima – sapo mbërriti në Sarajevë – i tha një gazetari se ai synon të formojë një grup personalitetesh shqiptare, që banojnë aktualisht në Bosnje, me qëllim që të ndërmarrin hapa në interes të shqiptarëve pranë qeverive dhe fuqive kontinentale.
Shqiptarët – tha më pas Hima – kërkojnë vetëm të drejtën e tyre. Që Shqipëria autonome të përfshijë të gjitha zonat me popullsi shqiptare.
Shkodra, Gjakova, Peja dhe Kosova janë kryesisht shqiptare dhe për këtë arsye Evropa nuk mund të lejojë që Serbia dhe Mali i Zi të pushtojnë këto rajone.
Rezoluta e shqiptarëve të krishterë nga Vlora, e cila u kërkon krerëve të Ballkanit dhe perandorit të Rusisë që Shqipëria të ndahet midis shteteve të krishtera, është frymëzim serb.
Të gjithë shqiptarët, pavarësisht fesë që ata i përkasin, formojnë një komb të vetëm dhe dëshirojnë lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre. Shqiptarët ortodoksë në veçanti janë armiqtë më të mëdhenj të serbëve.
Sa për demonstratat shqiptare në favor të Austro-Hungarisë, Dervish Hima i konsideronte ato spontane dhe tha se ata kishin për qëllim vetëm të dëshmonin mirënjohjen ndaj azilit që Austro-Hungaria u kishte siguruar në territorin e saj. /KultPlus.com