30 Qershor, 2020 - 5:29 pm
Ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, përcjellja e saj brez pas brezi është një nga misionet e Ministrisë së Kulturës. Ndaj edhe ngritja e njësisë së digjitalizimit të trashëgimisë kulturore merr një rëndësi të veçantë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me dy drejtorët ekzekutivë të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata, partnerë në këtë nismë, inspektuan sot mjediset e saporestauruara të njësisë së re të digjitalizimit.
“Tashmë gjithçka është gati në pritje të pajisjeve të standardeve më të larta. Por ky investim prej 650 mijë dollarësh është vetëm një stacion i parë në nismën tonë për digjitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore”, – tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë dhe Muzeu “Onufri” në Berat, po ashtu do të pajisen me fjalën e fundit të teknologjisë, duke hapur kështu një erë të re në trajtimin, studimin dhe përcjelljen e pasurisë sonë kulturore materiale dhe shpirtërore”. /Atsh /KultPlus.com