19 Shtator, 2020 - 7:03 pm
Për nder të shënimit të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, rrugëtimin nëpër qytetet e Kosovës e ka përfunduar në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
Muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’ në mëngjesin e ditës së sotme ka zbarkuar në qytetin e Prishtinës historinë e tij, ku përmes fotografive dhe dëshmive tjera arkivore shpalosë momentet më të rëndësishme që nga koha kur është shpallur kryeqytet.
Aktiviteti për shënimin e këtij përvjetori fillimisht nisi me hapjen solemne të muzeut në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe nën tingujt e bendit frymor të filarmonisë së Kosovës. Në ceremoninë e hapjes drejtoresha ekzekutive e UBSHR-së, Andriola Kambo tha se unioni i bashkive shqiptare ka për qëllim integrimin e vendeve me njëri tjetrin, në mënyrë që rrugëtimin drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian ta bëjnë së bashku.
“ Në fakt unioni i bashkive shqiptare në rajon si qëllim ka integrimin me njëri tjetrin që ne të vazhdojmë drejt BE te familja e madhe ku ne aspirojmë të jemi pjesë, me shekuj. Sot kemi sjellë një copëz të Tiranës, kemi sjellë sheshin Skënderbe. Sheshi simbol i shqiptarëve që çdo gurë i sheshit Skënderbe ka një histori, histori që në fakt ka thelb dhe për të ju rikthyer historisë tonë kombëtare ne gjithmonë jemi të kujdesshëm në rrugëtimin drejt së ardhmes, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e së shkuarës”, u shpreh Kambo.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se qëllimi i këtij muzeu është promovimi i turizmit dhe kulturës në vendet shqipfolëse. Ai ka theksuar se nisma që ka filluar këtë vit nga Bashkia e Tiranës duhet të shndërrohet në aktivitet tradicional të përvitshëm.
Kurse nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani gjatë fjalimi të saj në hapjen e këtij muzeu në qytetin e Prishtinës tha se në pamundësi për të organizuar atë çka kishin planifikuar muaj më parë në Tiranë, vendosën që të historinë e Tiranës ta sjellin në qytetet shqiptare. Sipas saj bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të mungoj asnjëherë.
“Pikërisht që jemi dy qendra të këtij rajoni është më e përgjegjësi më e madhe që i përfshinë të gjithë të tjerët. Gjithë synimi i shoqatës është pikërisht kjo, ti mbledhim të gjithë pranë dhe të bashkëpunojmë për të mirën e gjithsecilit. Shpesh herë mendojmë gjëra që nuk i ndryshojmë dot, çështjen e pandemisë nuk e ndryshojmë dot, tërmetin në Tiranë nuk e ndryshojmë dot, mbase ndonjëherë edhe politikën nuk e ndryshojmë dot. Por bashkëpunimi me njëri tjetrin, bashkëpunimi me qytetarët dhe me njëri tjetrin, dashurinë që kemi për vendet tona reciproke dhe për vendet që nuk i kemi zbuluar akoma, për një shëtitje diku në mal apo për një ngjitje në bjeshkë. Ca destinacione që duam apo s’duam kemi filluar ti zbulojmë pikërisht atëherë kur na ndodhin gjëra që nuk i prisnim.”, ka deklaruar Anuela Ristani.
Rrugëtimi i Muzeut Lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, në Kosovë ka filluar me 16 shtator në qytetin e Prizrenit kurse rrugëtimin e tij në trojet shqiptare do të shënoj fundin në qytetin e Preshevës, nesër me 20 shtator.
Kurse gjatë ditës së sotme organizatorët e Muzeut Lëvizës së bashku me Komunën e Prishtinës do të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës, Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat” dhe do të përfundojmë vizitat e tyre në Parkun Gërmia të kryeqytetit./ KultPlus.com