1 Prill, 2021 - 1:06 pm
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me drejtorin e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor Beni Kizolli.
Qëllimi i këtij Memorandumi është që të zhvillojë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikas në mes të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës historike të Prizrenit.
Përzgjedhja e dy shtëpive ajo e familje Arapi dhe familjes Gjonaj që janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ndërkaq Komuna e Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të siguroj mjetet financiare në vlerë rreth 90 mijë euro për investimin e projekteve të planifikuara, i cili do të bëhet gjatë vitit 2021.
Pas nënshkrimit të memorandumit drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, tha se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është realizimi i interesave të dyanshme në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Prizrenit, në përputhje me kriteret, standardet dhe legjislacionin në fuqi.
Përzgjedhja e dy ndërtesave ajo e familjes Arapi dhe familjes Gjonaj të cilat do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit dhe konservimit, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, marrë për bazë vlerat dhe rëndësinë e veçantë historike dhe arkitektonike që kanë ndërtesat në fjalë, ka theksuar drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha.
Realizimi i këtyre projekteve sipas drejtorit Hoxha, bëhen me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për vitin 2021, përkatësisht për zbatimin e prioriteteve programore për ruajtjen e ndërtesave tradicionale, të cilat gjendën në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit.
Ndërkaq drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit Beni Kizolli, falënderoj drejtorin e QRTK-së në Prizren për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtyre projekteve në Komunën e Prizrenit. / KultPlus.com