26 Prill, 2019 - 12:30 pm
Njomëza Lipaj u lind më 12 shtator të vitit 1985, në fshatin Temal (ish-Kamenicë), të komunës së Burimit.
Në bankat shkollore, Njomëzes iu shtuan ëndrrat për jetën dhe të ardhmen e saj. Ëndërronte të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen e t’i shëronte njerëzit. Mirëpo, kjo ëndërr nuk u realizua. Në vend se të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen, ajo u bë luftëtare e lirisë për ta çliruar Kosovën.
Njomëza ishte nxënëse e shkollës fillore në Tedel (ish-Vrellë). Ajo edhe për nga natyra, me gjallërinë, shkathtësinë, inteligjencën, me përkushtimin në mësime, me sjelljet, e me prirjet e saj, sikur jepte për të kuptuar se ishte një vajzë e jashtëzakonshme që po rritej për një vepër të madhe, që po rritej për Kosovën.
Me fillimin e luftës çlirimtare, Njomëza dëgjonte e përcillte tërë sy e vesh, ato që fliteshin e thuheshin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kureshtja e saj për UÇK-në shtohet gjithnjë e më shumë, atëherë kur në shtëpinë e saj hyjnë e dalin luftëtarët e lirisë, të cilët shkonin për në Shqipëri për furnizim me armatim dhe ktheheshin që atje të armatosur deng.
Ajo përjetonte ndjenjë krenarie kur këtyre luftëtarëve, të lodhur nga pesha e nga rruga e gjatë dhe plot krajata e rreziqe, të cilët në shtëpinë e Njomëzes e kishin derën të hapur, ku çlodheshin, ushqeheshin dhe merrnin veten, u shërbente me ujë a me ndonjë gjë.
Në ato çaste kjo vajzë e re përvidhte me bisht syri armët e luftëtarëve dhe ua kishte zili atyre që i mbanin e i bartnin.
Një ngjarje e vçantë, që te Njomëza krijon emocione të pashlyeshme dhe ndikim të fuqishëm, ishte rënia e dëshmores Myrvete Maksutaj nga Orrobërda, të cilën e kishte kushërirë nga nëna. Myrvetja, ushtare e UÇK-së, kishte rënë në vjeshtë të vitit 1998, në një përleshje me policinë serbe te qendra spitalore në Pejë.
Heroizmi i saj bëhet frymëzim për Njomëzen, e cila merr pjesë edhe në ceremoninë e vorrimit të saj. Pas kthimit nga kjo ceremoni, por edhe shumë herë të tjera, ajo i kishte thënë së ëmës se po të binte sikur Myrvetja, nuk do t’i dhimbsej jeta.
Këtë ceremoni varrimi të filmuar në shirit, Njomëza e shikonte shpeshherë.
Ngjarjet si kjo kishin ndikuar në formimin e shpejtë të personalitetit të Njomëzës, në pjekjen dhe edukimin atdhetar, si dhe në rritjen e ndjenjës së guximit e të vetëbesimit individual.
Sa herë që i ofrohej mundësia ajo shfaqte dëshirën dhe kërkonte të armatosej e të bëhej ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo mosha e saj shumë e re nuk lejonte një gjë të tillë.
Pas formimit të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në janar të vitit 1999, edhe fshati i Njomëzes do të kontrollohet nga kjo brigadë.
Tani mundësitë për kontakte me UÇK-në i kishte pasur të përditshme, meqenëse në radhët e saj, nga dera e Lipajve rreshtohen: Ylber Lipaj, Demë Lipaj, Enver Lipaj, Blerim Lipaj, Fadil Lipaj, Liridon Lipaj e Isa Lipaj. Nga kjo derë, jashtë radhëve të UÇK-së kishin ngelur vetëm gratë, fëmijët dhe pleqtë.
Në fillim të muajit mars, në UÇK mobilizohet edhe Njomëza. E ëma ia kishte prerë e qepur kapelën e uniformës ushtarake.
Me këtë mobilizim asaj i realizohet dëshira e flaktë për të gëzuar epitetin ushtare e lirisë.
Si ushtarja më e re, pjesëtare e Policisë Ushtarake që vepronte në kudrin e brigadës, Njomëza të cilën shokët e armës e thërritnin “Sugaricë”, tregon entuziazëm të madh për të përvetësuar mënyrën e përdorimit të armatimit dhe për t’u kalitur fizikisht shtatin e saj të njomë. Ajo merrte pjesë në stërvitjet e rregullta ushtarake të organizuara nga shtabi i Brigadës 133, që ndodhej në fshatin Studenicë.
Brenda një kohe të shkurtër ishte aftësuar të përdorte armët, si automatikun, bombën e dorës, e të tjera.
Në fund të marsit të vitit 1999, sikurse popullata e fshatrave të tjera përreth, edhe popullata e Temalit ishte deryruar të largohej nga shtëpitë e veta. Nga shtëpia u largua edhe familja e Njomëzes, e cila vendoset në Studenicë. Ajo qëndron aty deri në rënien e pozicioneve të UÇK-së në fshatin Tedel (ish-Vrellë), pas ofansivës serbe të datës 12 prill, kur ajo largohet nga Kosova dhe arrin në Shqipëri.
Në mëngjesin e 13 prillit, Njomëza, pa e ditur se forcat kriminele serbe kishin arritur të depërtonin në fshatin Studenicë, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi Zeqirajt, ku gatuhej dhe përgatitej ushqimi për pjesëtarët e UÇK-së, shkon atje bashkë me disa vajza të tjera për të marrë ushqimin. Me të arritur aty kapet në befasi nga ushtria serbe.
Njëkohësisht me Njomëzen kapen dhe masakrohen edhe Haxhi Zeqiraj, pronari i shtëpisë; Sala me të bijat Qëndresën e Mirdonën; Sabria me të bijën, Lindihanën; Hajria, Mejremja.
Viktimat e masakruara, ushtarët serbë i hodhën në pusin e oborrit të shtëpisë ku bënë masakrën.
Ata u gjetën pas përfundimit të luftës, kur në këto troje të Kosovës kishte ngelur vetëm hija e krimit, e lënë pas nga forcat serbe.
Trupi i dëshmores më të re të UÇK-së, Njomëza Lipaj u varros më 26 qershor të vitit 1999, në varrezat e fshatit të lindjes, Temal.
Dy muaj më vonë, trupin e saj e zhvarrosi ekipi i patologëve ndërkombëtarë, për të konstatuar krimin e bërë mbi të.
Prindërit e Njomëzes dhe gjithë familja, sot ruajnë kujtimin për dëshmoren, duke e hequr mallin përmes fotografive, jelekut të uniformës së policisë ushtarake, unazës dhe orës së dorës , të cilën në momentin e ndarjes prej saj, ia kishte dhënë për kujtim të ëmës, Zizës, për kujtim.
Burimi: Kosova e Lirë