Nuk ka si familja!

3 Shkurt, 2019 - 4:00 pm

Në çdo rrugë që do të zgjedhim të ecim, një ditë do të kthehemi tek familja jonë. Sado larg të shkojmë, sado mirë të jemi, do të ketë gjithmonë një ndjenjë tërheqëse drejt saj. Është si një magnet familja; nëse e largojmë pak prej një metali, në momentin e lëshimit, metali ka për ta tërhequr më fort.

Familja është gjëja më e shtrenjtë që kemi, por teksa shohim se si koncepti i saj ndryshon në vite, vërtet që na dhemb të gjithëve. Nëse më parë problemet në familje  do të thoshin mund dhe sakrifica për t’ia dalë mbanë, sot ato përkthehen me divorce në rastin më të mirë dhe vrasje në ato më ekstreme.

Problemet që çojnë në të tilla zgjedhje janë nga më të shumëllojshmet. Dikush do të ngrihej e do të thoshte: “Fajin e ka shteti”. Kjo është pjesërisht e vërtetë. E dimë se si rregull duhet të kishim psikologë në çdo lagje, të cilët duhet të njiheshin nga afër me problemet e familjeve. E dimë edhe që shteti duhet të marrë masa për të rritur nivelin e punësimit, sepse sa më shumë të ardhura të kemi në familje, aq më i lartë do të jetë niveli i jetesës dhe pak a shumë do të shmangeshin krimet lidhur me varfërinë.

Por edhe duke e ditur se shteti ynë çalon në shumë aspekte, ti, unë dhe të gjithë ne e dimë se faj kemi edhe vetë ne si individë. Pse vallë, shumë vite më parë, gjyshërit tanë jetonin të lumtur? Pse edhe pse të varfër ata jetonin në harmoni me njëri tjetrin?

Ata nuk kishin asgjë më shumë se ne. Përkundrazi, kishin shumë më pak gjëra dhe arrinin t’i zgjidhnin gjithë problemet bashkë. Ata ishin bashkë në të mirë e në nevojë, në lumturi e fatkeqësi, pak a shumë ashtu siç e kërkon zakoni dhe siç i duam të gjithë që të jenë martesat tona. Ndërkohë sot, në kohën kur teknologjia po e merr në kontroll jetën tonë, është paksa e vështirë të gjejmë diçka me të cilën ta mburrim familjen moderne.

Nëse vite më parë partnerët luftonin me mish e me shpirt për ta çuar familjen përpara, sot me vështirësinë e parë që shfaqet, zgjidhja mbetet divorci, sidomos tek çiftet e reja. Por të gjithë e dimë se sa e thjeshtë është të prishësh dhe sa e vështirë është ta krijosh diçka. Nëse të dy e keni kaluar fazën e vështirë ku fitohet besimi dhe respekti i tjetrit dhe sot jeni të martuar, filloni të ndryshoni. Flisni me partnerin/en tuaj. Shprehini mendimet tuaja ashtu siç i mendoni të arsyeshme dhe filloni t’i zgjidhni bashkë problemet dhe sfidat që ju shfaqen. Bëhuni bashkë ashtu si mishi me thoin duke mos pritur shumë nga shteti, i cili më shumë ka bërë rolin e shurdhit dhe të verbrit përballë ngjarjeve të tilla.

Unë besoj se ne mund ta arrijmë një gjë të tillë.

Çdo kush e çdo familje ka plot vështirësi, ka plot halle, që jo lehtë zgjidhen. Por me mirëkuptimin, me vullnetin që do e gjeni tek dashuria  për partnerin tuaj, do ia dilni. Familja është gjithçka me vlerë që kemi në jetë, ndaj le të bëjmë maksimumin nga ana jonë për ta mbajtur atë sa më të bashkuar. / bota.al /KultPlus.com

Të ngjajshme