Nurie Koculi: Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit, ata na çuan në birucat e izolimit

20 Korrik, 2021 - 2:00 pm

“Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit… 11 ditë nuk hëngrëm, as pimë… por ata na çuan në birucat e izolimit…”

Nurie Koculi është një ndër vajzat e para shqiptare që njohu agresionin komunist nëpër qelitë e errëta të diktaturës komuniste. Ishte vetëm 24 vjeç, kur u dënua me burg, si “armike e popullit”. Ishte mikeshë me Musine Kokalarin, dhe kjo do të ishte edhe një ndër akuzat për të cilat do të dënohej me pesë vite burg. E kishte njohur Musinenë në vitin 1943, tek libraria. Nuria mbante korespondencë edhe me Isuf Luzajn, një ndër emrat e shquar shqiptar në fushën e filozofisë, gjithashtu i shpallur si “armik i popullit”. Nurija do të dënohej edhe si lexuese dhe shpërndarëse e gazetës “Zëri i Lirisë”. Kur e arrestuan, në vitin 1946, Nuria gjeti në qeli të tjera vajza e gra intelektuale të shquara si Musine Kokalari, Merita Sokoli Tezha, Erifili Bezhani, Rita Koçi, Diti Biçaku, Frida Sadedini e të tjera.

Nurie Koculi ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por kujtimet e saj vijnë në kujto.al falë kontributit të së bijës, Almira Myzyri. Më poshtë, botohet e plotë dëshmia e sjellë në kujto.al nga Almira, siç i ka rrëfyer e ëma, Nurie Koculi. Në pak rreshta, vijnë disa momente pikante të jetës së vështirë të së ëmës, bashkë me dosjen e diktaturës, ku shënohen arsyet e dënimit të Nurie Koculit.

Almira Myzyri: Ç’më rrëfeu nëna ime për qelitë e diktaturës

“Na nxorën nga shtëpia tek Shallvaret dhe morëm një dhomë në Tiranë të Re. Mbas ca ditësh, e arrestuan vëllanë tim Kujtimin e mbetëm ne të dyja vetëm, unë dhe mamaja.

Në dhjetor të ’46-ës, më arrestuan dhe mua. Mbeti mëma vetëm. Atë e lajmëruan të ikë nga Tirana. Ku të vente ajo e shkreta? Vajti në fshat, por shtëpinë e kishin bërë zyra. Mëmën e futën bashkë me bagëtitë në një stallë, i dhanë 20 rrënjë ullinj, nga ata që ju ishin sekuestruar. Kur mundej, vinte të na shihte në burg. Kujtimi ishte në Kampet e Korçës në Maliq e unë në Tiranë, në burgun e vjetër.

Burgu i vjetër

Ishin 4 dhoma: në dy prej tyre, rrinin ordinerët, në dy të tjerat, rrinim ne gratë e arrestuara për politikë. Të gjitha bashkë në atë vend të ngushtë, ku secila kishte vetëm 30 cm hapësirë.

Çdo muaj vinte një kontroll për ne, na shqepnin dyshekët, na merrnin librat, letrat, lapsat, e ç’tu mbushej mendja. Na izolonin: na mbyllnin derën dhe vetëm në mëngjes e në mbrëmje, shkonim në banjë e mbushnim ujë, në një çezëm në oborr, për t’u larë e për të pirë. Dy herë në ditë, na binin një kazan me supë, ujë me dy kokrra oriz ose makarona dhe një copë bukë, herë misri, herë gruri. Ne nuk hapnim gojën, se spiunët na raportonin se flisnim për politikë.

Në grevë urie për Musine Kokalarin

Kur morën Musinenë për në Burrel, unë, Qefsere Bega dhe Merita Sokoli bëmë grevën e urisë. 11 ditë, as bukë, as ujë. Na mbyllën në dhomën e vogël. Të 11 ditët, na çuan në birucat e burgut. Mua me ra të fikët, pastaj na kthyen në burg si më parë. Qefseres i vinte familja. Mua me vinin motrat e Osman Kazazit. Me sillnin ndonjë triko dhe ndonjë lek.

Abaja (Refija) ishte në Kocul, por kur vinte, sillte ushqime. Më erdhën një herë, dhe Drita Koculi e Shyqyrit me të shoqin, Sybiun. Sa ishin martuar. Veledini vinte, por i thashë mos hajde, nuk është mirë për ty të vish në burg. Motrat e Osmanit vinin, në çdo takim. Mëma, ku të shkonte më parë. Dolëm të gjallë, por çdo të bënim pa punë.

Kujtimin e futën prapë në burg, e dënuan 10 vjet, sepse nuk kishte denoncuar. Avokati në gjyq tha: Për këtë akuzë, në Rusi, maksimumi dënojnë 3 vjet. Prokurori tha: Është i biri i Qazim Koculit dhe ka qenë edhe një herë tjetër ne burg”.

PRETENCA

E pandehura, Nurije Koculi, gjatë okupacionit gjerman në lidhje me Partinë Social Demokrate duke marrë udhëzime nga krimineli i luftës, Isuf Luzaj dhe Musine Kokalari. Gjatë asaj kohe, ka propaganduar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ka ndihmuar okupatorin. Ka shpërndarë gazetën Zëri i Lirisë – organ i Partinë Social Demokrate, e cila villte vrer kundër rezistencës së popullit shqiptar. Një pjesë e gazetave të asaj kohe, ju gjetën të fshehura në shtëpi, në një shishe. Kjo vërteton akoma më shumë qenien e saj në Partinë Social Demokrate dhe aktivitetin e saj dhe bindjen e saj ndaj asaj partie.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, është munduar të mbajë gjallë frymën e Partisë Social Demokrate në rrethet e saj të ngushta, në lidhje përsëri me Musine Kokalarin. Ka propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit me elemente si Reshat Beqiri, Reshat Aga e të tjerë, ku ka pasur dijeni për grupet klandestine, që kishin si objektiv rrëzimin e pushtetit me violencë. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ka thënë se do të dalë në opozitë dhe interesimi i saj mbi qëndrimin e Gjergj Kokoshit gjatë seancave të ndryshme të Asemblesë, dalin qartë lidhjet e ngushta që ka pasur pas çlirimit me Musine Kokalarin dhe me të burgosurin Reshat Beqiri.

Ka organizuar mbledhje të ndryshme, me gra me karakter kundra pushtetit popullor, duke paraqitur situatën se “shpejt do të ndryshonte nga një ndërhyrje e jashtme”, parulla të cilat i organizonte me Reshat Agën dhe Musine Kokalarin e shokë. Këtë e tregon edhe takimi me Vake Kreshpanin, të cilën edhe se nuk e njihte, i ishte drejtuar të pandehurës me rekomandim nga Vlora, ku e pandehura ka dhënë udhëzime për të punuar me gratë reaksionare të Vlorës.

Ka lajmëruar armikun e popullit, Napoleon Tasi, që të ruhej, se survejohej se kishte parë dy civile rrugës. Kjo vërteton se lidhjet që ka e pandehura se ka treguar interesim që të ruhesh e të mos kapesh me dokumente në flagrancë. Domethënë që e pandehura ka pasur dijeni dhe lidhje… që kryente kundër pushtetit.

Ka pasur lidhje me Sanie Dokon, ku bashkë me këtë, kanë propaganduar me axhitacion kundër pushtetit popullor dhe Reformave Ekonomike dhe ka nxitur gratë e tjera, për t’u larguar nga fronti dhe për të treguar urrejtje ndaj pushtetit, duke i këshilluar të mos shkojnë në konferenca e në punë vullnetare. Ka marrë trakte nga Sanie Doko, e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit. Në lidhje me të dënuarit, ku bashkë me ta, edhe i vëllai i dënuar për veprimtari kundër pushtetit, të cilës ju gjetën të fshehura në një shishe 5 kopje të gazetës Zëri i Lirisë të Partise Social Demokrate. Pretendimi i të pandehurës, se i mbante si koleksion, është krejt absurd, sepse në rast të tillë nuk do t ‘i mbante në shishe, po në bibliotekë ose vend të dukshëm. Kjo forcon akoma më shumë bindjen dhe besimin që ka pasur e pandehura ndaj Partisë Social Demokrate. Mbasi fajësia e saj parashikohet prej nenit 3 paragrafi 4 dhe nenit 8 te ligjit 372 te 12.XII. 946. Kërkoj të vendoset dënimi i të pandehurës në bazë të nenit 4 dhe nenit 8 paragrafi i parë 5 vjet provim lirie dhe punë të detyrueshme, baraz me periudhën e ndëshkimit.

Tirane 24 IV 947

ND. PROKURORI USHTARAK

KAPITEN FAIK MINAROLLI.

Gjykata

Pasi studioi proces-verbalin e ardhur nga sektori i Sigurimit të shtetit Tiranë;

pasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve; pasi dëgjoi pretencën e prokurorit që për arsyet e treguara, i kërkon të pandehurit të deklarohen fajtorë të neneve 4 dhe 8, të ligjit nr 3712 dhe 14 të ligjit nr. 382 kërkoi dënimin e Nurije Koculi, me 5 vjet mohim lirie.

Pasi dëgjoi mbrojtimin e asistuesit të mbrojtjes z Aristidh Totozani, që kërkoi që përfaqësuesja e tij të ndëshkohet me një dënim kondicionel; pasi dëgjoi fjalën e fundit të së pandehurve që “trupi gjykues të tregohej i mëshirshëm ndaj ndëshkimit të tyre”;

pasi studjoi gjithë aktet e dosjes e procesverbalit e rrjedhimin e gjykimit

OBSERVON

Se e pandehura Nurije Koculi:

Merr pjesë në mbledhje, shpërndan trakte dhe broshura ku villet vrer kundër lëvizjes NC-CL dhe ndihmohet okupatori në vendin tonë. E pandehura, duke qenë armike e betuar e lëvizjes Nacional Çlirimtare, gjatë okupacionit, fillon aktivitetin kundër Pushtetit Popullor edhe mbas çlirimit te Shqipërisë, në bashkëpunim me  armiqtë e popullit bashkëpunëtorë gjatë okupacionit Musine Kokalarin, Reshat Beqiri, Reshat Aga , etj duke propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit popullor dhe reformave ekonomike.

Merr pjesë së bashku me Musine Kokalarin, në organizatën social demokrate kundër pushtetit popullor, në bashkëpunim me kriminelët e arratisur dhe armiqtë e popullit dhe nga një ndërhyrje nga jashtë.

Bën një sërë takimesh dhe mbledhjesh kundër pushtetit popullor, duke shtuar në këtë mënyrë aktivitetin e saj kundër pushtetit. Duke qenë mike e ngushtë e armikut të dënuar Napoleon Tasit, i cili për aktivitetin e tij kundër pushtetit po survejohesh, e pandehura e këshillon të ruhej nga organet e sigurimit.

Së bashku me Vake Kreshtani, e cila ishte rekomanduar tek e pandehura për të ndërlidhur Grupet e grave kundërshtare të pushtetit të popullor të Vlorës e Tiranës, diskutojnë së bashku, mbi aktivitetin që kanë treguar këto në Vlorë dhe në Tiranë, udhëzon Vake Kreshtanin për punën që duhet të kryente në Vlorë, kundër pushtetit popullor.

Mban korrespondencën me të arrestuarin Reshat Beqiri sa ky ishte në hetuesi me anën e Rustem Gaçit dhe letra të tjera të nxjerra nga burgu, ku i dënuari njofton të pandehurën mbi hetimet dhe pyetjet që i bëhen në këtë mënyrë njofton të për të mbrojtur bashkëpunëtoret që akoma ndodheshin pa arrestuar dhe qëndrimi që duhesh mbajtur karshi organeve të sigurimit.

Mban të fshehur gazetat qe vjedhshin vrer kundër lëvizjes NCLÇ e gjatë okupacionit Zëri i Lirisë dhe si për tu siguruar nga mo gjetja dhe për tu ruajtur, sic tha vetë e pandehura, i futi në një shishe. Ka marrë trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit.

Diskuton me familjet e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit si Reshat Agën kundër pushtetit popullor duke propaganduar dhe axhituar lajmet e radiove të huaja në favor të reaksionit të jashtëm dhe ndrrimin e situatës në bashkëpunim me kriminelët e arratisur nga një ndërhyrje jashtë vendit tonë.

Para se të zbulohet Grupi i Sami Qeribashit me shokë e pandehura diskuton me armiken e popullit Musine Kokalari mbi grupet e organizuara kundër pushtetit, në të cilat grupe ish si bashkëpunëtor dhe i dënuari armik i popullit Gjergj Kokoshi…

Në emër të popullit shqiptar

Gjykata ushtarake e Garnizonit të Tiranës e formuar nga

ZV KRYETAR KAPITEN NJAZI MEKA

ANETAR Z/TOGER VASIL KAPAJANI

ANTAR APIRANT VEHIP UJANIKU

Duke u ndodhur dhe Prokurori i Garnizonit te Tiranes kapiten Faik Minarolli nën asistencën e Sekretarit reshter Arqile Mihaili

VENDOSI

Fajsimin e të pandehurve dhe ndëshkimin e tyre si vijon:

Nurije Koculi me 5 vjet privim lirije punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.

Vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.

Të gjithë të dënuarve ju ngarkohet shpenzimet gjyqësore

Ky vendim u deklarua ne 25.IV.1947/kujto.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme