Nusja zadrimore, shprehëse e solemnitetit dhe shpirtit krijues

20 Tetor, 2019 - 1:00 pm

Nga Albert Vataj

Nusja zadrimore është ndoshta rasti më unik i ceremonialit të stolisjes, e cila nuk ndeshet e kësisojtë në kulturat dhe traditat e tjera. Ajo është kaq e pasur dhe e larmishëm, kaq shprehës dhe imponuese, kaq përfaqësuese dhe intriguese. Është e rrallë dhe e veçantë, e bukur dhe plot hir. Ajo mëton në tërësinë e saj gjithë madhështinë dhe solemnitetin e një caku kaq sublim të jetës së një vajze, e cila bëhet nuse.

Përgjithësisht aksesorët e stolisjes së nuses përbëhen nga gjerdani i qafës, gjerdaleku, fudullet, kryqi dhe hojmalia, ku tërësinë e asaj game ceremoniale e përfshijnë edhe veshjet, të cilat gjithashtu janë në një qasje adhuruese. Stolisjet janë punime artizanale mjeshtërore filigrami, argjendi dhe metalesh të tjera më pak të kushtueshme. Ata ishin në një farë mënyre dhe statusi i nuses dhe dhëndrrit, hierarkia sociale dhe manifestive.

Sipas hulumtuesit Gjokhilajt, fodullet që vinte nusja, ishin bërë prej dy pllakëzash metalike të veshura sipër nga një copë e kuqe e kadifenjtë, apo ndryshe të quajtur kamosh, dhe qendisur me ar, argjend e mëndafsh. Në shumë raste janë punuar me filigram dhe dekoruar me gurë të shndritshëm të kuq, zakonisht, por edhe me ngjyra të tjera si jeshile apo blu dhe jo e mbuluar me copë të kadifenjtë garnituar me gajtana ari. Kjo ka qenë në varësi të gjendjes ekonomike të familjes ku bëhej dasma. Familjet e pasura përdornin mall të kushtueshëm, ndërsa të varfërat mall më të lirë e më të thjeshtë. Pra zbukurimet vinin shpesh sipas sërës nga vinin familjet, sidomos ato të dhëndrrit, shton studjuesi.

Pjesë e këtij ansambli bukurimi të nuses padyshim që janë dhe veshjet, të cilat janë po kaq të zgjedhura dhe po kaq manifestuese sa edhe stolitë.
Sipas një studimi të Tom Gjokhilaj, një vend të veçantë në veshjen e nuses ka pasur edhe peshqiri i kokës që sigurisht ishte i një cilësie të lartë materiali e punimi me shumë finesë. Më dendur përdorej mëndafshi dhe harkati, ndaj dhe quhej peshqir harkat ashtu siç quhej edhe këmisha harkate. Një vend tjetër në veshjen e nuses ka zënë dollama e shajaktë dhe kjo e punuar me finesë të veçantë.

Një tjetër pjesë veshjeje ishin edhe jelekët që mbulonin pjesën e shpinës dhe të brinjëve, ndërsa në pjesën e gjoksit ishin fodullet që mbërtheheshin me njëra tjetrën me ca hallka të veçanta që viheshin nga ana e brendshme e nuk dukeshin. Në ditën e dasmës fodullet ishin të veçanta qoftë nga punimi, qoftë edhe nga cilësia. Ishin të garnituara me fije e gajtana ari e sermi, por edhe mëndafshi.

Jelekun me fodulle nuset e reja i kanë përdorur më gjatë se koretin e shamitë. Koretin e shamitë i kanë përdorur vetëm në raste të veçanta pas dasmës e sidomos kur nusja ka shkuar për herë të parë në kishën e fshatit, pasi edhe atëherë ajo ishte e detyruar të zbatonte disa rite nuserie.
Pjesë e veshjes së nuseve ka qenë edhe anteria, një tip xhakete edhe kjo e punuar në mënyrë artizanale nga vetë vajzat apo nënat e tyre. Anteria kishte krahë të gjatë dhe në pjesën e llërëve ishin shpesh të dekoruara me gajtana, në të shumten e rasteve të kuq dhe ngjyra të tjera sidomos në mëngët e saj, por edhe në pjesët e tjera sidomos skajore. Gjithashtu si pjesë e pajës dhe e veshjes së nuses, ishin edhe boçet e kuqe(tip përparseje) që për zonën e Zadrimës, në dallim me atë të Bushatit e të zonave të tjera ishin të gjata dhe shkonin poshtë gjurit.

Një aksesor tjetër në veshjen e nuses zadrimore ka qenë edhe emërtimi maramë, por nuk jam i sigurt se kështu quhej ndonjë veshje e veçantë, apo quhej edhe kështu anteria. Boçja e kuqe tek gratë zadrimore duhej të ishte në nivelin e këmishës, madje më e gjatë se këmisha e bardhë; d.m.th. ta mbulonte këmishën që të mos dilte e të dukej poshtë saj. Mund të ishte, ndoshta pak cm më poshtë se këmisha, por kjo nuk ishte ndonjë kusht i posaçëm dhe i padiskutueshëm e në ndonjë rast edhe këmisha mund të ishte pak më e gjatë se boçja, por jo aq e dukshme, ama. Edhe këta ishin të punuara me mjeshtëri të veçantë dhe me ornamente e dekoracione të shumta.

Tek boçet e nuseve mbizotëronte e kuqja e ndezur.
Përmes veshjes dhe stolive të nuses ne kuptojmë jo vetëm rëndësinë primare që ka rrëmbyer dasma, por dhe vlerësimin që gjenaratat i kanë dhënë vetë martesës si një hap përcaktues për fillimin e një jete të re të bashkëshortëve dhe trashëgimin.

Dasma ishte dhe përgjithësisht vijon të jetë dhe të zbatohet si një nga elementet më përfaqësues të pasurisë shpirtërore që trashëgon një krahinë apo trevë nga kodika e hershme shprehëse, me të cilat janë përcaktuar dhe sinorët përmes veçantisë dhe dallimeve lehtësisht të dukshme.
Etnokultura jonë është përpjekur ta kadalogojë këtë thesar, me shkas për ta ruajtur dhe mbrojtur nga erozoni shkatërrues dhe tjetërsues i modernitet. Ajo që ka fituar në këtë kacafytje të egër asgjësimi është tradita private e individëve, të cilët i kanë përcjellë veshjet dhe stolitë e ditëve kremte, ku ato të ditës së dasmës bëjnë dallim, duke i trashëguar si një amanet brez pas brezi.

Shfrytëzimi i lakmimit të të huajve për këtë pasuri shpirtërore, ka bërë që institucione shtetërore, por kryesisht privatë, të potencojnë investimin, si një përmbushje interesash të turizmit kulturor dhe njiherash fitimin.
E rëndësishme mbetet ruajtja e traditës, trashëgimi i këtij thesari shpirtëror, origjina e së cilës është sa e hershme aq dhe domethënëse.
Moderniteti ka përmirësuar cilësisht jetën tonë, por nuk duhet ta lëmë të ekzekutojë rrënjësisht shpirtin tonë krijues, atë manifestim solemn vlerash dhe visaresh, që janë dëshmia më e qartë dhe më përfaqësuese për civilizimin tonë, për lidhjen e kahershme që populli ynë, krahina të veçanta, kanë patur me të bukurën. /KultPlus.com

Të ngjajshme