3 Gusht, 2022 - 7:30 pm
Nxënësit e Shkollës së Baletit në Tiranë morën pjesë në tri shfaqje në qytetet e njohura në Itali, Parma, Piacenza dhe Pontremoli.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vlerësoi performacën e 40 nxënësve balerinë të moshës 10-17 vjeç, të Shkollës së Baletit , të cilët me shfaqjet e tyre transmetuan vlerat dhe kulturën e kombit shqiptar.
“Arritje e shkëlqyer e nxënësve të Shkollës së Baletit. Nën drejtimin e koreografes dhe drejtoreshës së kësaj shkolle Blerina Arbana, nxënësit tanë të mrekullueshëm arritën suksesin e radhës me talentin e rrallë gjatë performancës së tyre në Parma, Piacenza dhe Pontremoli në Itali, duke transmetuar vlerat dhe kulturën e kombit shqiptar dhe duke lënë mbresa te qytetarët, mediet dhe autoritetet lokale. Një arsye më shumë kjo që të vijojmë punën që kemi nisur për reformimin e shkollave artistike në vend, siç e meritojnë këta fëmijë të talentuar që na mbushin shpirtin plot gëzim e krenari”, u shpreh Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Nxënësit e Shkollës së Baletit interpretuan repertor klasik, modern, kontemporan dhe folk. Dinamizmi, forca, eleganca, harmonia, larmia e numrave përcollën te publiku emocione të forta, që u manifestuan në duartrokitjet pa fund nga të pranishmit./atsh/ KultPlus.com