14 Shtator, 2022 - 5:30 pm
Për herë të parë, objekte të trashëgimisë prehistorike nga Shqipëria do të jenë pjesë e një ekspozite ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Objekte nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksioni i Muzeut Arkeologjik në Tiranë, kanë mbërritur në SHBA, ku do të jenë pjesë përbërëse e ekspozitës lëvizëse të titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Europës), me organizues kryesor Field Museum of Natural History, në Chicago te Shteteve te Bashkuara.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 institucione nga 11 vende të ndryshme nga Europa Juglindore. Ekspozita ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave gjatë prehistorisë së vonë, nga komunitetet bujqësore të Neolitit, tek elitat e konsoliduara të periudhës së Hekurit në Ballkan. Objektet e ekspozuara tregojnë historinë se si disa individë fuqizuan pushtetin dhe influencën e tyre, duke zotëruar burime natyrore, duke kontrolluar rrugët e tregtisë, ritualet, ceremonitë dhe luftërat.
Një version i vogël i kësaj ekspozite, e cila e vë theksin mbi ritualet (Rituals and memory: The Balkans and Beyond), do të shfaqet fillimisht në Institute for the Study of the Ancient World (ISAW), pjesë e Universitetit të New York-ut, në datat 22 Shtator 2022 – 19 Shkurt 2023. Më pas, hapja e ekspozitës së plotë fillon në muajin Mars 2023, në Field Museum of Natural History Chicago, ndërsa në Prill të vitit 2024, ajo do të vendoset në National Museum of History, në Gatineau, Kanada.
Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Rudenc Rukën dhe Prof. Luan Përzhitën, me mbështetjen e drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë, Prof. Ass. Belisa Muka.
Akademia e Studimeve Albanologjike, në një postim të sajin në rrjetet sociale falenderon për mbështetjen veçanërisht ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe ekipin e saj, të cilët besuan në suksesin e këtij projekti, si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore dhe arkeologjike të Shqipërisë, në një kontinent të largët si Amerika.
Pas mbërritjes në SHBA, objektet u inspektuan për gjendjen e tyre nga studiuesit amerikane në Field Museum (Chicago) dhe ISAW (New York), si dhe përfaqësuesit e Institutit të Arkeologjisë./atsh/ KultPlus.com