9 Shkurt, 2018 - 4:30 pm
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka konsideruar themelimin e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore të vonuar por gjithashtu edhe një hap të rëndësishëm, shkruan KultPlus.
Alberina Haxhijaj
Ai është shprehur se Mbretëria e Bashkuar gjithmonë e ka konsideruar të rëndësishëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë e ka parë si shumë të rëndësishme që Kosova të ketë mbrojtje të fortë për trashëgiminë e saj të pasur dhe të larmishme kulturore. Këto mbrojtje janë të rëndësishme, si për komunitetet e Kosovës, ashtu edhe për anëtarësimin e saj në UNESCO”, është shprehu ai duke shtuar tutje se themelimi i një Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore është i vonuar për 12 vjet, por një hap pozitiv për Kosovën.
Duke e theksuar përsëri rëndësinë që ka ky vendim për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ai ka bërë thirrje që inspektoret të rekrutohen pa favore dhe pa ndërhyrje.
“Ndërtimi i institucioneve të tilla është i rëndësishëm jo vetëm për punën e tyre jetike, por gjithashtu u ndihmon miqve të Kosovës që të argumentojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Është shumë e rëndësishme tani që inspektorët të rekrutohen në bazë të meritës dhe kualifikimit, si dhe që ata të kryejnë punën e tyre jetike pa frikë, pa favore dhe pa ndërhyrje”, ka përfunduar ai.
Berat Hadri, Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj janë inspektorët e parë të cilët janë zgjedhur nga Ministria e Kulturës për të qenë pjesë e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Ministri Kujtim Gashi i cili edhe prezantoi inspektorët para medieve disa ditë më parë i konsideroi ata gardianë të trashëgimisë kulturore duke theksuar se mendon se janë pikërisht inspektorët e trashëgimisë kulturore ata të cilët mund të mbrojnë trashëgiminë e vendit./KultPlus.com