Pa leje nisin punimet ku planifikohet të ndërtohet Xhamia Qendrore

10 Tetor, 2018 - 7:00 pm

Një tabelë është vendosur në vendin ku planifikohet “Xhamia Qendrore” në Prishtinë dhe diçka ka filluar të punohet. Mirëpo nga të gjithë informacionet, mungon numri i lejes së ndërtimit. Në fakt leje të ndërtimit nuk ka, raporton Ndërtimi.info.

BIK-u i ka marrë kushtet ndërtimore për Xhaminë e Madhe nga Komuna e Prishtinës, por kjo e fundit mohon që të ketë lëshuar lejen e ndërtimit, madje thotë se as që është aplikuar. Këtë e konfirmoi drejtori i Urbanizmit, Ardian Olluri.

“BIK-u është pajisur me kushte ndërtimore vitin e kaluar, gjatë kësaj kohe nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Para një muaji ka bërë kërkesë, brenda afatit ligjor, për vazhdim të afatit të kushteve ndërtimore. Kjo kërkesë është aprovuar nga Zyra e Urbanizmit dhe presim në vijim që të paraqitet kërkesa për leje ndërtimore”, tha Olluri.

Vitin e kaluar ishte mbajtur një debat në Asamblenë e Komunës së Prishtinës, dhe aty u pat treguar se projekti prek në vijën ndërtimore me një çosh të xhamisë.

Në anën tjetër, Bashkësia Islame e Kosovës thotë se është aplikuar për leje ndërtimore.

“Kemi aplikuar në Komunën e Prishtinës për leje ndërtimore. Nuk mund të jap datë, vetëm se e di që është bërë aplikimi”, ka deklaruar Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut.

Mirëpo, Olluri tregoi se BIK-u nga Komuna e Prishtinës ka kërkuar diçka tjetër.

“Gjithashtu, ka paraqitur kërkesë për organizim të vend punishtes. Ne i kemi njoftuar që kërkesa për organizim të vend punishtes lejohet vetëm pas lejes ndërtimore. I kemi informuar për punët që mund të kryhen pa leje ndërtimore, si rrethimi i punishtes, heqja e shkurreve. Asnjë punë ndërtimore nuk lejohet”, shtoi ai.

Derisa ende nuk ekziston leja ndërtimore, disa makina pune kanë arritur në vendin e caktuar për xhaminë. Përveç largimit të disa shkurreve aty po pritet të fillojnë edhe hapja e disa gropave, e zyrtarë të kadastrit të dalin t’i bëjnë disa matje.

Këtë mbrapa kamerave e ka konfirmuar përfaqësuesi i kompanisë vendore e cila është kontraktuar nga kompania turke “Komas Kacitepe”.

Mirëpo, drejtori i Urbanizmit nuk ishte i njoftuar se Drejtoria e Kadastrit ka marrë ndonjë veprim.

Kur hulumton dhe sheh kompaninë që është kontraktuar të kryejë punët, “Komas Kacitepe”, sheh se ata xhamitë i kanë për dore. Madje janë të njëjtit që po ndërtojnë edhe Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, duke publikuar një video nga ajo punë.

I gjithë ky proces është i mbushur me paqartësi dhe me dyshime për fiksim të projektit. Konkursi arkitekturor i mbajtur ka shkuar si asgjë, pasi projekti nuk u zgjodh nga aty, teksa kritika të mëdha u dhanë për projektin e apostrofuar si “osman”, duke humbur shansin që të ketë Kosova një xhami moderne./KultPlus.com

Të ngjajshme