6 Gusht, 2023 - 1:50 pm
Ministri i Brendshëm dhe drejtues politik i Partisë Socialiste në Fier, Taulant Balla ndau sot pamje nga qyteti antik i Bylisit në Mallakastër të cilat i cilësoi pamje të mrekullueshme.
Parku arkeologjik Bylis ndodhet në krahinën e Mallakastrës, në krahun e majtë të rrugës nacionale Fier – Tepelenë, 1.5 km larg fshatit Hekal. Qyteti antik i Bylisit shtrihet në pllajën e një kodre me lartësi 547 metra mbi nivelin e detit. Bylisi ka qenë qyteti Ilir më i madh në Ilirinë e Jugut, me një sipërfaqe prej 30 ha, brenda së cilës ndodhen monumente të periudhave të ndryshme.
Bylisi është themeluar në vitet 370 – 350 para Krishtit dhe ka qenë kryeqendëra e bashkësisë Byline, pjesë e krahinës së madhe Ilire të Atintanisë, ku përfshiheshin disa qytete të luginës së poshtme dhe të mesme të Aoosit (Vjosës). Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis ka thesarin e mozaikëve paleokristian, të shekujve V – VI, më të bukur e të mëdhenj jo vetëm në Shqipërinë, por edhe në Ballkan.
Vazhdimisht aty janë kryer ndërhyrje si dhe sistemime të mbetjeve të ngurta, të dala nga gërmimet arkeologjike ndër vite. Gjithashtu është punuar me ringritjen e blloqeve përreth monumenteve të qytetit antik për të rritur shikueshmërinë e sitit arkeologjik. Rruga e re që të çon në sitin arkeologjik të Bylisit është drejt përfundimit./KultPlus.com