Papa Albani: Më shkruani në varr që rrjedh nga gjaku shqiptar

3 Nëntor, 2020 - 6:32 pm

Dëshirën për t’u identifikuar shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.

Kishte lindur në Romë më 23 korrik 1649, ku edhe u nda nga jeta më 19 mars 1721, si pinjoll i një familjeje të njohur me lidhje të forta si me vendin e të parëve, ashtu edhe me Vatikanin.

Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Papë me “origjinë shqiptare,” si “Papa që ka thirrur Kuvendin e Arbrit”, dhe për plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Të gjithë autorët e huaj që kanë shkruar për të, nuk kanë mundur ta shpërfillin prejardhjen e tij shqiptare, duke theksuar edhe krenarinë me të cilën ai identifikohej si shqiptar. Me 25 prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër të Papa Gjon Palit të dytë dhe në intervistat që i paraprinë kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe në formë të ngushtë, në mes të Vatikanit dhe Shqipërisë.

Biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule shkruan: “Gjon Francesk Albani, që kishte prejardhje shqiptare, u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjëve katolikë të Ballkanit (14-15 janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, pasi klerikët ishin të parët, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”/ KultPlus.com\

Të ngjajshme