Papa Françesku uron në 9 gjuhë përvjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë

5 Shtator, 2017 - 3:49 pm

Mbushen sot plot 1 vit nga Shënjtërimi i Nënë Terezës së Kalkutës e 20 vjet nga vdekja e bamirësisë shqiptare.

Një vit më parë në meshën e kanonizimit mbajtur në sheshin e Shën Pietros në Vatikan me mbi 130 mijë besimtarëve nga e gjithë bota, Papa Françesku do të shpallte Shënjtërimin e Humanistes shqiptare duke u shprehur:

“Sot i dorëzoj botës këtë figurë emblematike të gruas e shënjtërimit. Le të jetë ajo modeli juaj i Shenjtërisë. Kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më shumë se kriteri i vetëm i veprimit tonë duhet të jetë dashuria e lirë nga çdo ideologji, nga cdo kufi, e ndaj të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race e feje.”

Një vit më parë Shënjtërimi i Nënë Terezës mblodhi në Vatikan autoritete të larta e Krerë Shtetesh nga e gjithë bota, besimtarë të shumtë por dhe njerëz të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo i dedikoj jetën e saj.

Prej një vit bota e krishterë ka një Shënjtëri shqiptare, Shën Terezën, por të gjithë vazhdojnë ta quajmë Nënë Tereza, ashtu sic kish parashikuar Ati i Shenjtë duke u shprehur “se do ta kemi të vështirë ta quajmë Shën Tereza, pasi shënjtëria e saj është kaq pranë nesh, kaq e frutshme dhe e dashur, sa spontanisht vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza.”

Sot një vit nga Shënjtërimi i Nënë Tereza e 20 vjet nga mungesa e saj, bota e krishterë e kujton në të gjithë botën.

Papa Françesku në këtë datë përkujtimore në profilin e tij zyrtar në Twitter në 9 gjuhë të ndryshme, Shën Terezën shqiptare do ta kujtojë me fjalët:

“Si Nënë Tereza le të hapim horizonte gëzimi e shprese për njerëzimin, që ka aq nevojë për sa më shumë mirëkuptim e dashuri.”

Në Indi, Nunci Apostolik i Indisë dhe Nepalit ka mbajtur meshën përkujtimore në shtëpinë e Misionareve të Nënë Terezës, ndërsa Kryepeshkopi i Kalkutës Thomas D’Souza, ka deklaruar se në këtë 1 vjetor të Shënjtërimit të saj, bamirësja shqiptare do të shpallet Shenjtore mbrojtëse e Kryepeshkopatës së Kalkutës.

Në këtë 20 vjetor të vdekjes së saj janë me mijëra pelegrinë që kanë vizituar e janë lutur në varrin e Shën Terezës në shtëpinë e misionareve të Urdhërit në Kalkuta.

Mesha përkujtimore janë mbajtur dhe në të gjitha shtëpitë e urdhërit të Nënë Terezës në 130 vende të botës.

Shën Tereza shqiptare e ktheu jetën e saj në një shembull të dashurisë së krishterë në shërbim të njerëzve në nevojë, të sëmurëve, të vërfërve.

Si themeluese e Urdhrit të Nënë Terezës më 1979 u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen, ndërsa më 26 tetor 1985, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Pérez de Cuéllar, duke e prezantuar në Asamblenë e Përgjithshme e përkufizoi si gruan më të fuqishme të botës. / KultPlus.com

Të ngjajshme