Papa, letër kundër abuzimit seksual të fëmijëve

20 Gusht, 2018 - 9:30 pm

Papa Françesku tha të hënën se duhet bërë çdo përpjekje që kultura e Kishës Katolike të pengojë abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët, dhe për të siguruar që nëse abuzime të tilla ndodhin, ato nuk do të mbulohen.

Komentet e Papës u bënë në një letër drejtuar më shumë se një miliard katolikëve të botës, në përgjigje të publikimeve të fundit lidhur me abuzimet nga ana e klerikëve.

Javën e kaluar, në një raport të jurisë së madhe në Shtetet e Bashkuara thuhej se më shumë se 300 priftërinj kishin abuzuar ndaj më se 1,000 fëmijëve në gjashtë dioqeza të Pensilvanisë gjatë një periudhe 70 vjeçare, raporton VoA.

Asnjëherë më parë Papa Françesku nuk u ka shkruar të gjithë katolikëve. Letra e tij u publikua në shtatë gjuhë.

“Megjithëse mund të thuhet se shumica e këtyre rasteve i përkasin të kaluarës, me kalimin e kohës, ne kemi arritur të njohim dhimbjen e shumë viktimave”, shkruante Papa.

Ai shkruante se me “turp dhe pendim” Kisha Katolike e pranon se nuk veproi në kohën e duhur dhe e kupton dëmin e madh që abuzuesit kanë bërë ndaj kaq shumë njerëzve.

Papa Françesku shkruante se “asnjë përpjekje për të kërkuar falje dhe për të ndrequr dëmin e bërë nuk do të jetë ndonjëherë e mjaftueshme”.

Letra nuk përmend ndonjë masë të re që mund të miratohej nga kisha./KultPlus.com

Të ngjajshme