10 Tetor, 2018 - 2:31 pm
Fotografitë: Gili Hoxhaj
Edhe këtë vit në Kosovë u shënua ”Parada e Krenarisë” e cila ka për qëllim të ngris vetëdijen, të fuqizojë personat LGBTI dhe të rris vizibilitetin në shoqërinë Kosovare për orientimet e ndryshme seksuale dhe identitetet gjinore, shkruan KultPlus.
Një numër i madh pjesëmarrësish morën pjesë në këtë paradë e cila nisi nga sheshi “Skënderbeu” deri tek sheshi “Zahit Pajaziti”. KultPlus ka realizuar disa fotografi dhe përmes tyre ju sjellë momentet e kësaj parade në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Mimoza Kusari, Dhurata Hoxha, përfaqësues të ambasadave e figura të njohura publike.
Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm që ka ndodhur kundër personave LGBTI pas Paradës së Parë të Krenarisë “Në Emër të Dashurisë”, si dhe për shkak të nevojës së tyre për të jetuar në vende ku ndihen të lirë nga paragjykimet, pa u ballafaquar me refuzime dhe diskriminim, tash organizatat dhe personat LGBTI vendosën që këtë vit Paradën ta emërojnë “Në Emër të Lirisë”. Në këtë mënyrë ne shprehim reagimin tonë dhe kërkesën për liri dhe siguri për komunitetet.
Sllogani “Në Emër të Lirisë” kërkon liri të shprehjes, liri të të qenurit të sigurtë, për liri te ndryshme të identitetit dhe sekualitetit, për jo-diskriminim dhe liri në konfidencialitet./ KultPlus.com